Ashtu siç tha drejtorja e Drejtorisë së të Hyrave Publike, Sanja Lukarevska qytetetarët deri tani kanë skanuar mbi 15 milionë llogari fiskale ndërsa përmes aplikacionit ‘TVSH-ja ime’ qytetarëve deri tani u janë kthyer mbi 125 milionë denarë, përkatësisht dy milionë euro.
Nga muaji korrik deri në fillim të shtatorit qytetarët kanë skanuar në total 7.6 miliardë denarë, ndërsa shtetit nga këto para i janë kthyer 800.000 milionë denarë.
Paratë e llogarive të skanuara do të kthehen në dhjetor të këtij viti, ndërsa nga viti i ardhshëm pagesa do të bëhet çdo tre muaj.
Sot zëvendëskryeministri dhe ministri i Mbrojtjes, Oliver Spasovski mori pjesë në promovimin e aplikacionit ‘TVSH-ja ime’ në Kumanovë. Ai bashkërisht me drejtoren e Drejtorisë së të Hyrave Publike vizitoi sportelin promovues dhe skanoi llogari fiskale.
“Është kënaqësi që në Kumanovë mund të promovojmë dhe mbështesim projektin TVSH-ja ime, shumë i rëndësishëm për Qeverinë por edhe për qytetarët, për shkak se një ndër prioritetet kryesore të programit qeveritar ishte që sa më shumë para të kthehen tek qytetarët. Edhe pse kishte mendime të ndryshme rreth këtij projekti, unë jam i lumtur që rezultatet treguan se projekti është i suksesshëm, sepse deri tani rreth 15 milionë llogari fiskale janë skanuar. Ju bëj apel dhe ju bëj thirrje qytetarëve ta marrin aplikacionin”, tha Spasovski duke thënë se qytetarët edhe do të marrin para edhe do t’i ndihmojnë ekonomisë.