Ja si duket burgu i Idrizovës në Shkup pas rinovimit (FOTO)

Ndërtimi i kapaciteteve të reja të akomodimit në burgun e “Idrizovës” është një prej masave që Qeveria dhe Ministria e Drejtësisë i ndërmerr për përmirësimin e kushteve për kryerjen e sanksioneve në Republikën e Maqedonisë, theksoi sot ministrja e Drejtësisë, Renata Treneska Deskoska në hapjen e objekteve të reja nga sektorët e hapur dhe gjysmë të hapur në burgun më të madh në vendin tonë, me kapacitet prej 546 personave.

Marketing

Ministrja theksoi se investimi në infrastrukturën e burgjeve nuk është aspekti i vetëm i përmirësimit të kushteve në vetë burgjet. Theksoi se në Idrizovë janë akomoduar më shumë se tre të pestat e të burgosurve në vend, ndërsa mbingarkesa në këtë vend çon drejt kushteve joadekuate dhe mirëmbajtjes së vështirësuar të rendit dhe sigurisë në burg.

“Investimet në hapësirë ndiqen edhe me investimet në kapitalin njerëzor, gjegjësisht ndërtimin e kapaciteteve njerëzore, përmes trajnimeve të të punësuarve, përpjekjeve për përmirësimin e mbrojtjes shëndetësore, më pas ndërtimin e sallave mobile gjyqësore, por edhe reformat që do të thonë zhvillim të alternativave për dënimet e shkurta në burg, revizion të Kodit penal dhe praktikë të përcaktimit të paraburgimit dhe shqiptimit të dënimeve”, theksoi Deskoska.

Theksoi se në përmirësimin e kushteve në burgjet, partnerë të Ministrisë janë dhe do të jenë organizatat joqeveritare dhe institucionet vendore dhe ndërkombëtare.

Ministrja Deskoska paralajmëroi se së shpejti në procedurë do të lëshohet edhe Ligji për kryerjen e sanksioneve dhe theksoi se gjatë programimit të shfrytëzimit të fondeve evropiane, kujdes i rëndësishëm do t”i kushtohet përmirësimit të mëtutjeshëm të kushteve edhe në burgjet tjera në Maqedoni.

“Me hapjen e kapaciteteve të reja në ‘Idrizovë’ dëshiroj që vlerësimet negative për gjendjen në burgjet, si ato të shqiptuara nga Këshilli i Evropës në vitin 2016 dhe në raportet e Avokatit të popullit në sferën për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, të mbeten një e kaluar”, theksoi Deskoska dhe shtoi se dëshiron një ditë këto kapacitete, që sot po hapen, të jenë të zbrazëta ose të paktën gjysmë të zbrazëta, si rezultat i uljes së shkallës së krimit në shtetin tonë.

Ministrja tha se në objektet e reja, gjegjësisht në sektorin e hapur ka kapacitet për akomodimin e 294 personave të dënuar në sipërfaqe prej 3.800 metra katrorë, ndërsa në objektin gjysmë të hapur i cili është me sipërfaqe prej 4.000 metrave katrorë mund të akomodohen 252 persona të dënuar. Qelitë për akomodim janë për katër persona dhe kanë banjë. Në hapësirat e reja ka punëtori, salla për palestër, qeli për persona me nevoja të veçanta, shëtitore dhe kënd lojërash.

Drejtori i drejtorisë për sanksione, Jovica Stojanoviq duke u përgjigjur në pyetje të gazetarëve sqaroi se me grant të Komisionit Evropian, salla gjyqësore do të transferohet nga burgu “Shkup” në burgun “idrizovë” për shkak të numrit të madh të personave të dënuar të cilët gjenden në burgun më të madh në Maqedoni. Me të njëjtin grant, shtoi ai është kryer procedurë për rikonstruim të plotë në burgun në Manastir në të cilin në periudhën maj-qershor u mbyll pjesa e paraburgimit që nuk i plotëson kushtet. Paralajmëroi edhe vendosje të shërbimit të provës në të gjitha burgjet në Maqedoni, projekt që duhet të fillojë nga 3 shtatori.

Marketing