Derisa Gucati, po gjykohet në Hagë, procesin e tij thuajse njëjtë po e përjetojnë edhe familjarët e tij. I biri i Hysni Gucatit, Musliu ka rrëfyer si e sheh familja këtë proces.
“Ne e dimë që është një proces jo i drejtë dhe arrestimin e babait në fillim e kemi prit shumë rëndë dhe kemi qenë shumë të mërzitur. Por, është krenaria ajo që nuk po na lë të mërzitemi sepse si për babin Hysni Gucatin, Nasim Haradinaj, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe Salih Mustafa kanë shkuar për një kauzë dhe ideal të madh, duke mbrojtur vlerat më të mëdha të kombit shqiptar. Janë dashur 2000 vjet që të dal një lëvizje e re në vitet e ’90-ta, siç ka qenë UÇK-ja, me tërheqë vëmendjen e perëndimorëve dhe ne sot ta kemi shtetin tonë”, ka thënë Gucati.
Derisa janë bërë më shumë se 4 muaj, që Gucati po mbahet në Hagë, komunikimi me familjarë nuk mungon.
“Çdo ditë komunikojmë. Temat e zakonshme, Si po kaloni?, Si jeni? A po ndiheni rahat? Si po sillen në qendrën e paraburgimit?. Sa i përket stafit të qendrës së paraburgimi, ai thotë se kanë sjellje korrekte dhe nuk ka ndonjë problem apo diçka të tillë”, ka shtuar ai për lajmi.net.
“Ne po komunikojmë me babin. Ata mirë janë. Qëndrojnë të gjithë së bashku dhe nuk është duke u mërzitur asnjëri. Prej orës 07:00, kur zgjohen, dalin nga dhomat deri në orën 20:30 të gjithë janë së bashku. Ushqimin e përgatisin së bashku, për shëtitjen që e bëjnë në hapësirat e hapura janë së bashku dhe kanë së hapësirë ku rrinë të gjithë së bashku. Kanë edhe programe të ndryshme televizive, një nga to është RTK-ja që munden me ndjek. Prej orës 20:30 secili shkon në dhomat e tyre”, ka bërë të ditur tutje i biri i Hysni Gucatit.
Së fundmi Gjykata Speciale në Hagë ka refuzuar kërkesën e Hysni Gucatit për heqje të masës së paraburgimit.