Jakup Krasniqi paraqitet para Gjykatës Speciale të hënën

Më 9 nëntor në orën 11:00 paradite, do të mbahet paraqitja e parë e Jakup Krasniqit në sallën e gjyqit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë.

Marketing

Seanca dëgjimore ndaj tij do të fillojë nga ora 11:00.

Pas bastisjes së shtëpisë së tij, Krasniqi të mërkurën është arrestuar nga pjesëtarë të EULEX-it, teksa ka njoftuar se i ishte konfirmuar aktakuza nga Specialja.

Aktakuza e ngarkon Jakup Krasniqin me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit sipas të drejtës ndërkombëtare, për forma të ndryshme të përgjegjësisë penale.

Aktakuzat nga Specialja i janë konfirmuar edhe Hashim Thaçit, Kadri Veselit e Rexhep Selimit, megjithëse për këta të tre ende nuk dihet se kur do të mbahen seancat.

Dhomat e Specializuara me seli në Hagë, publikuan aktakuzën për presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, kryetarin e Partisë Demokratike, Kadri Veseli, kryetarin e Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate Jakup Krasniqi dhe shefin e grupit parlamentar të lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, të cilët ngarkohen për krime lufte.

Të gjithë këta, ish drejtues të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndodhen tashmë në qendrën e paraburgimit të Gjykatës së Posaçme në Hagë.

Sipas aktakuzës krimet janë kryer në disa vende në Kosovë si edhe në Kukës dhe Cahan në Shqipërinë Veriore nga pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë aktive në luftime.

Marketing