“Jam nën kërcënimin e vdekjes nga zoti Putin”/ Postimet e Zonjës së Parë të Ukrainës që po bëhen virale: Do qëndroj pranë burrit tim

Një figurë e matur, gjithmonë përkrah bashkëshortit, heroinë e rezistencës ndaj pushtimit rus. Është fjala për Olena Zelenska, gruaja e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Marketing

44-vjeçarja ka vendosur që të qëndrojë në Ukrainë së bashku me dy fëmijët e saj Aleksandra, 17 vjeçe dhe Kiril, 9 vjeç. Ata janë të strehuar në një vend sekret nga ku Olena vazhdon që të mbështesë bashkëshortin dhe popullin e saj.

Që nga dita e parë që ka nisur pushtimi i Rusisë ndaj Ukrainës, 44-vjeçarja mbështet vendin e saj duke bërë postime në rrjetet sociale. Zonja e Parë e Ukrainës tregon se çfarë po ndodh aktualisht atje.

“Unë jam Olena Zelensky, jam gruaja e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky. Ne u martuam në 2003-shin. Vajza jonë lindi në 2004 dhe djali në 2013. Unë jam një shkrimtare dhe një arkitekte. Dhe jam nën kërcënimin e vdekjes nga zoti Putin”, është një postim i saj i bërë së fundmi.

Në postime të tjera, Olena tregon se si e mbështet popullin e saj: “Unë nuk do lë të më zërë paniku ose të shpërthej në lot. Do jem e qetë dhe e sigurt. Fëmijët më shikojnë dhe unë do të qëndroj pranë tyre dhe pranë burrit tim. Por edhe pranë jush. Ju dua dhe dua Ukrainën”.

“Të dashur ukrainas! Unë ju shikoj të gjithëve. Në TV, në rrugë, në internet. Unë shoh postimet dhe videot e juaja. Dhe e dini çfarë? Jeni të mrekullueshëm. Jam krenare që jetoj me ju në të njëjtin vend”, shkruan Zonja e Parë duke qëndruar pranë popullit të saj.