Jamie Shea flet pas 20 viteve: Si e bombarduam Serbinë

Sa herë që kujtohet fushata e sulmeve ajrore të NATO-s, e nisur më 24 mars të vitit 1999, personi i parë që njerëzve u bie ndër mend është Jamie Shea, në atë kohë zëdhënës i NATO-s, i cili, përmes konferencave të shpeshta për media, që ndiqeshin anekënd botës, u bë një figurë e njohur planetarisht.

Marketing

Për kosovarët mbeten në kujtesë porositë e tij dërguar diktatorit serb, Milosheviq, se “NATO-ja do të fitojë” se “Forcat e tij do të largohen nga Kosova”, ndërsa “Shqiptarët do të kthehen në shtëpitë e tyre”. Gjithë kjo iu dha shpresë edhe shqiptarëve në kampet e refugjatëve nëpër Maqedoni, Shqipëri e Mal të Zi, se do të kthehen në shtëpitë e tyre, që ishin në Kosovë, se një ditë do të çlirohen.

Tash, kur shënohet 20-vjetori i nisjes së fushatës ajrore të NATO-s, për t’u dhënë fund dhunës dhe krimeve të forcave serbe në Kosovë, Jamie Shea është në pension. Por ai me vullnet gjeti kohë për intervistë, për “Kohën Ditore”, për të rikujtuar ato momente dramatike të para 20 vjetëve.

Kanë kaluar 20 vjet nga fillimi i fushatës ajrore kundër Milosheviqit. Në atë kohë ju ishit fytyra e NATO-s në botë. Si e kujtoni sot atë natë të 24 marsit të para 20 vjetëve?

Shea: Për mua do të mbetet një nga momentet më dramatike. Ishte po ashtu një moment i dëshpërimit, sepse NATO-ja shpresonte se Marrëveshja e Ramboulliet do të pranohej nga të dyja palët; u pranua nga ana e shqiptarëve të Kosovës, por u refuzua nga Milosheviqi dhe Milutinoviqi dhe nga pala serbe. Pra, kishte një sens të dëshpërimit pse kjo përpjekje e madhe e bërë nga Shtetet e Bashkuara dhe nga aleatët për të arritur marrëveshje të negociuar kishte dështuar.

Por ajo që po ashtu mbaj mend është përkushtimi i fortë që të mbanim fjalën tonë, dhe po të vazhdonte dhuna në Kosovë, gjë që në fakt edhe ndodhi, në rast të dështimit të Rambuoiletit, NATO-ja do të vepronte. Pra, kishte një dëshpërim pse zgjidhja politike nuk u arrit, por edhe ndjenjë të lehtësimit për përkushtimin e Aleancës që të vepronte dhe të mbante premtimin se do të përdorte forcën ajrore për të penguar rundin e ri të pastrimit etnik dhe shkeljen e të drejtave të njeriut.

Pos sulmeve ushtarake, në atë kohë zhvillohej edhe ajo që u quajt “beteja mediale”. Si zëdhënës i NATO-s, cila ishte pjesa më e vështirë e punës suaj në atë kohë?

Shea: Kishte shumë sfida në atë kohë dhe e para ishte të përgatitej opinioni publik në vendet anëtare të NATO-s për një fushatë më të gjatë, sesa që shumë politikanë prisnin. Disa mendonin se do të mjaftonin 24 apo 48 orë të bombardimeve dhe Milosheviqi do të dorëzohej dhe do të pranonte t’i kthehej Marrëveshjes së Rambouilletit dhe të pranonte t’i tërhiqte forcat nga Kosova dhe kushtet e tjera që i kishte caktuar NATO-ja

Marketing