“Janë ndaluar 5 persona, për pronarin e një kompanie kërkohet paraburgim”, autoritetet me detaje nga aksioni për keqpërdorime në NP “Rrugët Shtetërore”

Nga Ministria e Punëve të Brendshme njoftojnë se gjatë ditës së sotme, si të dyshuar për abuzime në procedurën për përzgjedhjen e një kompanie për sigurimin fizik në 14 pikat e pagesave, janë ndaluar 5 persona fizik, ndërsa dyshohet edhe një kompani nga Kërçova, përcjell TV21.

Në lidhje me: Ndalohet Ejup Rustemi dhe tre persona të tjerë! Pritet edhe ndalimi i rreth 15 personave të tjerë gjatë javës

“Kallëzim penal është ngritur kundër XH.B.(54) nga Kërçova, E.R.(56) nga Tetova, E.L. (61) nga Tetova, M.B. (48) nga Shkupi dhe D.Z. (39) nga Tetova dhe kundër një personi juridik nga Kërçova”, thonë nga MPB.

Nga MPB thonë se bëhet fjalë për një kontratë të prokurimit publik të lidhur me datën 08.08.2022, me të cilën menaxheri i dyshuar i agjencisë së sigurimit u zotua që për dy vite do të ofrojë siguri të vazhdueshme fizike 24/7 në të 14 pikat e pagesave nën menaxhim të Ndërmarrjes Publike “Rrugët Shtetërore”.

“Ndonëse ka qenë i detyruar sipas kontratës së nënshkruar, ai nuk i është përmbajtur detyrimit dhe për të gjithë periudhën e kontratës ka dhënë vetëm siguri fizike të pjesshme, më së shpeshti vetëm në turnin e parë, dhe i ka faturuar autoritetit kontraktor për shërbimet sikur të jetë ofruar siguri fizike 24/7 për të gjithë periudhën që ka zgjatur kontrata”, shtojnë nga MPB.

Nga Prokuroria thonë se sipas kësaj, buxheti i shtetit është dëmtuar për 46.918.079 denarë.

Nga Prokuroria thonë se është kërkuar paraburgim për të dyshuarin e parë, respektivisht pronarin e kompanisë së sigurimit.

“Prokurori publik ka dorëzuar propozim në Gjykatën Themelore Penale në Shkup për caktimin e masës paraburgim për të dyshuarin e parë, ndërsa për të tjerët është propozuar masa e kujdesit”, shtojnë nga Prokuroria.

Marketing