Tre zjarret që ishin aktive në territorin e shtetit dhe me të cilët po luftonin zjarrfikësit që nga dita e djeshme janë shuar, njoftoi paraditen e sotme Qendra për Menaxhimin e Krizave (QMK), transmeton Portalb.mk.
“Për momentin janë shuar të gjitha zjarret për të cilat kemi raportuar gjatë 24 orëve të fundit – gjithsej 27”, thonë nga QMK.
Sipas informacioneve të fundit nga atje, zjarret janë shuar në afërsi të fshatit Koliçan i epërm dhe Draçevicë të Komunës së Studeniçanit, ku është përfshirë një pyll i përzier, në fshatin Orllancë të Komunës së Haraçinës, ku digjej një pyll i ulët dhe në fshatin Melnicë të Komunës së Velesit, ku nga zjarri është përfshirë pylli me pisha dhe bari i thatë.
Më herët drejtori i Qendrës për Menaxhimin e Krizave, Stojançe Angelov, pas zbulimit në mëngjes të terrenit në malin Jakupica, ku dje ka shpërthyer zjarri në lartësinë mbi 1500 metra, ka konfirmuar se edhe ky zjarr është shuar plotësisht.
Zjarri ka ndodhur në atarin e fshatit Vranovcë e epërme, në territorin e komunës së Çashkës.
“Faleminderit ekipit të zjarrfikësve të njësisë territoriale të zjarrfikësve të Velesit, por edhe pilotëve të guximshëm të helikopterëve policorë, të cilët dje gjatë ditës kanë derdhur mbi 80 tonë ujë në këtë zjarr malor, i cili tashmë kishte depërtuar në një pyll cilësor. Sot në mëngjes mund të konfirmoj se zjarri është shuar plotësisht”, tha Angelov.
Përveç lokacioneve të përmendura, siç informojnë nga QMK-ja, dje zjarr ka pasur edhe në komunat Studeniçan, Manastir, Prilep, Krivogashtan, Krushevë, Strumicë, Radovish, Strugë, Dibër, Veles, Negotinë, Koçan, Kumanovë, Likovë, Bërvenicë dhe Gostivar, ku kryesisht është djegur bar i thatë, pyje të ulët, kashtë dhe deponi.