Ka filluar ndërtimi i shkollës fillore rajonale në fshatin Banjicë të komunës së Çashkës, ku mësimin do ta ndjekin nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën. Është vendosur një platformë betoni dhe pres që për dy muaj të përfundojë i gjithë procesi dhe ndërkohë kryetari i komunës do të sigurojë pajisje për objektin e ri të shkollës.
Këtë e theksoi ministrja e Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska në përgjigje të pyetjes kur nxënësit nga komuna e Çashkës do të fillojnë të mësojnë në gjuhën shqipe në seancën e sotme kuvendore kushtuar pyetjeve të deputetëve.
“Për fat të keq, problemi në Çashkë është i iniciuar politikisht. Aty deri vitin e kaluar fëmijët kanë mësuar së bashku në një gjuhë maqedonase dhe prindërit e nxënësve kishin nënshkruar pëlqimin për këtë. Por, zyrtarë të lartë të BDI-së vendosën se diçka nuk shkon dhe inkurajuan disa për të hyrë në grevë, dhe ndër të tjera krijuan një revoltë duke nxitur futjen e mësimit në gjuhën shqipe. E gjithë kjo është në dëm të nxënësve, por këtu po punohet dhe do ta tejkalojmë këtë problem të iniciuar artificialisht”, tha Janevska.
Ajo saktëson se në Banjicë do të ndërtohet një objekt shkollor i montuar në vlerë prej 6,6 milionë denarë, investim i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, në të cilin do të mësojnë 12 fëmijë.