Janevska: Me buxhet shumëvjeçar, Qeveria do të mbështesë modernizimin e infrastrukturës së Universitetit „Nënë Tereza“ në Shkup

Universiteti „Nënë Tereza“ është universiteti ynë më i ri shtetëror. Qeveria është e përkushtuar të sigurojë burimet e nevojshme që ai të vazhdojë të zhvillohet edhe më tej. Me buxhet prej 34 milionë euro, i cili do të sigurohet në faza, duke filluar këtë vit dhe gjatë pesë viteve të ardhshme, do të mbështesë ndërtimin e kampusit modern i cili do të jetë qendër për përsosmëri akademike, shkencë dhe teknologji. Studentët dhe kuadri mësimdhënës do të marrin kushte bashkëkohore për punë dhe avancim.

Këtë e theksoi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Prof. Dr. Vesna Janevska në ceremoninë e sotme organizuar me rastin e dorëzimit të detyrës së rektorit të këtij institucioni të arsimit të lartë.

Duke i uruar mirëseardhje Prof.Dr Bekim Fetaji në funksionin e tij të ri ministrja Janevska shprehu pritjen e saj se ai do të vazhdojë me vizionin për rritje edhe më të madhe të cilësisë së programeve studimore dhe me profesionializimin e tij, do të kontribuojë në zhvillimin e universitetit si institucion bashkëkohor arsimor dhe shkencor, i denjë për mbështetjen që merr.

“Pres që të sjellë energji të re dhe t’i motivojë profesorët universitar dhe studiuesit e universitetit të përparojnë profesionalisht dhe t’i frymëzojë studentët që të përpiqen jo vetëm për të marrë një diplomë, por të bëhen qytetarë vërtet të arsimuar akademikisht, të përgatitur për matjen ndërkombëtare të njohurive”, tha Janevska.

Ministrja falënderoi rektorin e deritanishëm Prof. Dr. Izet Zeqiri, duke theksuar se si drejtues i universitetit dhe si profesor, ai dha kontribut të rëndësishëm në përgatitjen e brezave akademikë që tashmë janë të integruar në proceset shoqërore dhe në funksionimin e shtetit.

 

 

 

 

 

 

Marketing