Japin dorëheqje të gjithë kryetarët e komunave në veri të Kosovës

Kryetari i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Dejan Gureshiq, njoftoi se të gjithë kryetarët e komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës kanë dhënë dorëheqje.

Marketing

“Organet e administratës shqiptare, të Prishtinës, në veri të Kosovës nga sot nuk ekzistojnë. Funksionimi i mëtejmë i qeverisjes lokale përmes sistemit të Prishtinës është pezulluar. Autoritetet dhe shërbimet komunale nuk do të funksionojnë dhe kuvendet komunale nuk do të mbajnë më takime. Ky vendim është përfundimtar dhe do të mbetet në fuqi derisa Prishtinë nuk i tërheq të gjitha masat diskriminuese“, tha Gureshiq.

Vendimi vjen pasi autoritetet në Kosovë, javën e kaluar, kanë rritur nga 10% në 100% taksën mbi prodhimet e importuara nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

Komuniteti ndërkombëtar, përfshirë sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, i ka bërë thirrje Kosovës që të heqë këtë detyrim doganor.