Në Spitalin e Dibrës do të investohen 34.576 euro nga Ambasada e Japonisë në kuadër të Grant Programit për Projekte të Vogla dhe Siguri Njerëzor, që u nënshkrua sot në Komunën e Dibrës.
“Me këtë projekt janë siguruar fonde për furnizimin e një printeri digjital për radiografi, me ç’rast synohet rritja e cilësisë së punës në Repartin e radiologjisë. Përmes diagnostikimit më të shpejtë dhe më të saktë për nevojat e pacientëve do të mundësohet kujdes mjekësor me cilësi të lartë për qytetarët e Dibrës, por edhe për banorët e komunave Mavrovë dhe Rostushë dhe Qendër Zhupë të cilët gjithashtu i shfrytëzojnë shërbimet e këtij institucioni mjekësor”, raportojnë nga Ambasada e Japonisë.
Ambasadori Hironori Savada ka nënshkruar marrëveshjen e grantit, ku morën pjesë edhe kryetari i komunës, Hekuran Duka dhe drejtori i Spitalit, Baki Alili.
“Projekti për përmirësimin e pajisjeve mjekësore të Institutit për Shëndet Publik Spitali i Përgjithshëm – Dibër”, është granti i katër në kuadër të këtij programi gjatë vitit 2021.
Përndryshe, raportohet që në kuadër të grant programit për projekte të vogla (GGP), Japonia ka financuar projekte për rekonstruim dhe furnizim të pajisjeve për më tepër se 70 shkolla dhe kopshte, 47 institucione të shëndetit dhe ka mundësuar furnizimin e 31 automjeteve të specializuara për menaxhim të mbeturinave dhe shërbime komunale në 49 komuna në 8 rajone në shtet. Mbi 422.3 milionë euro vlerësohet të jetë mbështetja që Japonia i ka dhënë Maqedonisë së Veriut.