Jashari: Zoti dhe natyra po ruajnë Kompleksin Memorial në Prekaz

Pasardhësi i familjes Jashari, Bekimi Jashari ka shprehur pakënaqësitë e tij për përkujdesjen e institucioneve të Kosovës ndaj kompleksi memorial “Adem Jashari”, duke thënë se janë vonuar për t’u kujdesur për këtë kompleks në Prekaz.
Sipas tij, edhe investimet që janë bërë deri tani kanë qenë të pakta dhe janë kryer mbrapsht.

Marketing

Djali i Hamëz Jasharit për KosovaPress thotë se ka marrë zotime nga krerët e shtetit se do merren seriozisht me këtë monument historik.

“Si familje as nuk kemi bërë kërkesë, as nuk jemi përzier asnjëherë që nga qershori apo korriku i 99-ës, kur ka qenë Qeveria e përkohshme e Kosovës që e ka marrë nën mbikëqyrje të qeverisë, kompleksin dhe aq sa kam hise unë si djalë i Hamëz Jasharit, aq keni hise edhe ju, edhe gjithë qytetarët që aty vijnë. Si kryetar komune kam bërë kërkesë dhe kam kërkuar që të merren më seriozisht.

Ligji ka kaluar fatmirësisht në Kuvendin e Kosovës, pas bisedimeve që i kam pasur edhe me kryetarin e parlamentit, Kadri Veseli dhe po ashtu zëvendëskryeministrin, Fatmir Limaj dhe kryeministrin Haradinaj po ashtu.

Më kanë thënë se me fillim të viti të ardhshëm do fillojnë menjëherë dhe viti 2019, do jetë vit i mbarë për atë vend. Janë vonuar shumë të them të drejtën, në ato kulla nuk është që nuk është investuar në kompleks, kanë investuar por është investuar mbrapsht e para e punës që është dashur të konservohen ato kulla sepse është duke i ruajtur vetëm Zoti dhe natyra për mos shembjen e tyre”, ka shtuar Jashari.
Duke folur për qeverisjen lokale në Skenderaj, Bekim Jashari, i cili është në krye të kësaj komune, thotë se është ballafaquar me sfida të shumta për shkak të kërkesave të shumta të qytetarëve dhe mundësive të pakta të komunës.