Jasir Asani është gjithnjë e më pranë transferimit në La Liga. Las Palmas është skuadra që e kërkon prej muajsh dhe e do me çdo kusht anësorin ofensiv të kombëtares së Shqipërisë.
Gëangju u bë pengesë në janar, duke kërkuar një shumë më të madhe seç ofronte skuadra spanjolle. Pikërisht mungesa e marrëveshjes për këtë lëvizje bëri që Asani dhe klubi korean të prishnin marrëdhëniet mes tyre.
Futbollisti shqiptar nga Shkupi u dënua nga Gëangju dhe për muaj me radhë nuk u grumbullua nga skuadra!
Las Palmas nuk hoqi dorë dhe në merkaton e verës është paraqitur sërish tek koreanët, me një tjetër ofertë. Duke qenë se kontrata e Asanit përfundon në fundin e vitit, Gwangju nuk dëshiron ta humbë me parametra zero.
Dhe është i hapur për të dëgjuar propozimet. Klubi iberik ka ofruar një shumë që arrin shifrën 1 mln euro për kartonin e 29-vjeçarit, ndërkohë që marrëveshjen me lojtarin e ka arritur prej ditësh.
Asani ka udhëtuar drejt Koresë së Jugut në fundjavë, aty ku ka takuar trajnerin dhe ka marrë miratimin e këtij të fundit për këtë transferim.
Fillimi i javës së ardhshme do të jetë shumë i rëndësishëm për këtë operacion. Asani do të bëjë dhe një takim me drejtorin e klubit, për të mbyllur përfundimisht një herë e mirë këtë histori.
Sulmuesi i djathtë është gati të hedhë hapin e madh të karrierës me transferimin në një nga ligat kryesore të Europës.
Nëse gjithçka mbyllet me sukses gjatë këtyre ditëve, Asani do të bashkohet menjëherë me skuadrën për të nisur përgatitjet për sezonin e ri. Që do të nisë në mesin e muajt gusht.