Aktivisti qytetar Jasir Asani ka reaguar ashpër ndaj BDI-së, duke i akuzuar për manipulim dhe për heshtje ndaj tragjedive ku humbën jetën dhjetëra shqiptarë, ndërsa sot ngrihen për të mbrojtur një ish-funksionar të partisë.
“Asnjëherë nuk keni reaguar për 14 shqiptarët që u dogjën në spitalin modular në Tetovë, për 16 viktimat në aksidentin e Llaskarcës, për 45 shqiptarët që humbën jetën në autobusin e djegur në Bullgari apo për ata që u vranë në Kumanovë. Por sot, sepse ju ka thënë partia, dilni në mbrojtje të një ish-funksionari,” ka shkruar Asani.
Sipas tij, kjo tregon se për BDI-në është më me rëndësi mbrojtja e zyrtarëve të saj sesa drejtësia për qindra jetë të humbura. “Disa gjëra nuk falen! Koha është për përgjegjësi,” ka përfunduar ai.
Kujtojmë që ish ministri i Ekonomisë nga rradhët e BDI-së, Kreshnik Bekteshi ndodhet në paraburgim si i dyshuar për dhënien e licencës një klubi të natës që nuk i plotësonte kushtet në Koçan, me ç’rast para disa ditësh në po të njëjtin klub humbën jetën 59 qytetarë dhe mbi 100 të lënduar.