Jasir Asani e vazhdon shkëlqimin në Ligën e Kampionëve të Azisë, shënon dy gola të tjerë

Jasir Asani po vazhdon të shkëlqejë në futbollin aziatik.

Marketing

Përfaqësuesi kosovar ka qenë protagonist në ndeshjen e sotme të ekipit të tij, Gwangju FC, i cili e mposhti skuadrën Johor Darul Ta’zim FC me rezultat 3:1.

Dhe, ishte pikërisht anësori i majtë ai që ia solli fitoren ekipit jug-korean në ndeshjen e vlefshme për Ligën e Kampionëve të Azisë.

Futbollisti shqiptar nga Maqedonia e Veriut i shënoi dy gola të shpejtë në fillim të takimit, respektivisht në minutat 3 dhe 6 për ta bërë ekipin e tij lider në grup në Lindje me tri fitore nga po aq ndeshje.

Asani është titullar i padiskutueshëm tek Gwangju FC dhe sot luajti plot 90 minuta.
Ai arriti në kuotën e gjashtë golave në Championsin aziatik në tri ndeshje të zhvilluara, statistika këto impresionuese, ndërsa e ka edhe një asistim.

Kurse, në K League 1, respektivisht liga elitare e Koresë së Jugut, i ka zhvilluar 10 ndeshje dhe i ka realizuar 3 gola.

Pra, nga 13 ndeshje, Asani i ka 9 gola e 1 asistim. I jashtëzakonshëm.

Nëse vazhdon me formë të tillë, majtaku ofanziv pritet të jetë mjaft i rëndësishëm për Kombëtaren shqiptare në dy ndeshjet vendimtare të nëntorit në Ligën e Kombeve, ndaj Republikës Çeke dhe kundër Ukrainës.

Marketing