Java tjetër Kurtin mund ta gjejë të shkarkuar dhe në opozitë

Kryesia e Kuvendit gjatë së martës pritet të marrë vendim për seancën për shkarkimin e kryeministrit Albin Kurti.

Marketing

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka dorëzuar në Kuvendin e Kosovës 44 nënshkrime për të thirrur seancë të jashtëzakonshme për shkarkimin e kryeministrit, Albin Kurti.

Gjatë së hënës, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se të martën do të mbahet mbledhja e Kryesisë dhe aty do të vendoset se kur do të mbahet seanca e jashtëzakonshme për shkarkimin e Qeverisë Kurti.
Njohësit e çështjeve politike në vend, vlerësojnë se kjo është java vendimtare për situatën politike dhe se java e ardhshme, kryeministrin Kurti mund ta gjejë të dorëhequr dhe në opozitë.

Analisti politik, Valon Syla, ka thënë për lajmi.net, se kjo është java vendimtare për fatin e Qeverisë Kurti

“Prej dorëzimit të mocionit në Kuvend, zakonisht priten 3 deri në 5 ditë me u thirr seanca e jashtëzakonshme, dhe kjo është konform ligjeve të vendit. Kjo javë është vendimtare, për Qeverinë Kurti dhe besoj se java tjetër do ta zë të shkarkuar dhe në opozitë”, është shprehur Syla.

Në anën tjetër edhe analisti Blerim Burjani, ka thënë për lajmi.net, se duhet të gjendet një zgjidhje për këtë situatë të krijuar në Kosovë.

Sipas tij, duhet të formohet një qeveri e unitetit dhe nuk është shumë e rëndësishme se kush zgjidhet kryeministër, por siç thekson ai, e rëndësishme është tejkalimi i kësaj situate.

“Unë mendoj se duhet të takohet Kuvendi i Kosovës pra të ketë mbledhje për të zgjidhur situatën e krijuar. Pra duhet të gjendet një zgjidhje për momentin e tanishëm, të formohet një qeveri e unitetit më nuk është me rëndësi kush bëhet kryeministër, me rëndësi është tejkalimi i situatës. Pra një qeveri kalimtare me një kryeministër teknik mund të zgjidh çështjet e tanishme, ose duhet lënë këtë qeveri të kryej detyrën si qeveri e dorëhequr deri në zgjedhjet parlamentare”, theksoi Burjani për lajmi.net.

Kujtojmë se deri të mocioni i mosbesimit për Qeverinë Kurti ka ardhur si pasojë e shkarkimit të Agim Veliut nga posti i ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, shkarkim ky që ishte bërë nga ana e Kurtit pa dijeninë e LDK-së.

Vlen të theksohet se LDK-ja ka marrë mbështetje nga të gjitha partitë opozitare për mocionin e mosbesimit, ndërkaq është vetëm Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ajo e cila nuk ia ka garantuar votat LDK-së, por që e ka përkrahur në iniciativën e saj për mocionin.