Javën e ardhshme tentim i ri për zgjidhjen e çështjes së PSP-së

Javën e ardhshme pritet të kristalizohen qëndrimet e partive politike rreth ligjit të ri të Prokurorisë Publike dhe statusit të ardhshëm të Prokurorisë Speciale Publike. Burime partiake njoftojnë se nga dita e hënë do të bëhen përpjekje të reja për të arritur një marrëveshje kompromisi për ligjin i cili do të ndikojë edhe në raportin e Komisionit Evropian për përparimin e Maqedonisë së Veriut dhe ndarjen e datës për hapjen e negociatave për aderim në BE. Grupi i LSDM-së i drejtuar nga ministrja e Drjetësisë Renata Deskovska dhe ai i VMRO-DPMNE që kryesohet nga deputeti Antonio Milloshovski, gjatë ditëve të javës së ardhshme do të tentojnë të përafrojnë qëndrimet rreth pikave të cilat ende i mbajnë larg marrëveshjes dy partitë më të mëdha në vend.

Marketing

Edhe pse thuhet se statusi i PSP-së është temë më e lehtë, megjithatë mësohet se as edhe për këtë pikë partitë nuk janë dakorduar. Ende nuk ka marrëveshje përfundimtare nëse PSP do të jetë një repart në kuadër të Prokurorisë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ndërsa edhe ky status do të varet shumë nga kompetencat të cilat negociohen në pikat e tjera të cilat janë edhe më të nxehta. VMRO-DPMNE edhe më tej mbetet e palëkundur në qëndrimin se të gjitha proceset e hapura pas Qershorit të vitit 2017 duhet të mbyllen sepse ato janë jashtë kornizës së afatit ligjor 18 mujor që ishte dakorduar në marrëveshjen e përpiluar në Përzhino.

Përveç kësaj, opozita maqedonase kërkon edhe përgjegjësi nga prokurorët të cilët kanë hapur lëndë pas afatit të lejuar ligjor. Por nga LSDM kanë thënë se për fatin e lëndëve nuk duhet të vendosin politikanët, por prokurorët. Për këtë qëllim partia në pushtet ka propozuar që të formohet një ekip prej kryeprokurorit dhe dy prokurorëve të cilët për çdo lëndë veçmas do të vendosin nëse ka argumente për të hapur padi ose jo. Një temë tjetër e cila u aktualizua fillimisht më shumë ishte përbërja e ekipit të PSP-së. Partia më e madhe në opozitë, VMRO-DPMNE, ka kërkuar shkarkimin e Katica Janevës dhe prokurorëve special aktual, por edhe për këtë temë LSDM ka vlerësuar se nuk duhet të vendos politika, por Këshilli i Prokurorëve.

Marketing