Jazbec: Maqedonia e Veriut, histori suksesi

Maqedonia e Veriut shikohet si një histori suksesi në kontekstin e zgjidhjes së kontesteve dypalëshe dhe rrugëtimin drejt NATO-s…. Ambasadori slloven, njëkohësisht pikë kontakti mes vendit dhe Aleancës, Millan Jazbec, tha se vendi ka shënuar një hap gjigant drejt anëtarësimit, por edhe vendet anëtare kanë shënuar rekord në ratifikimin e protokollit për anëtarësim.

Marketing

“Në këtë vend frazat bëhen realitet. Ngjarje historike, ndryshime strukturore, vendi i vetëm që ec përpara dhe shënon suksese. Në këtë vend, ne jemi dëshmitarë, e jetojmë dhe kontribuojmë për këtë. Kjo është shumë me rëndësi edhe për ne si ambasadorë, pasi ndodh një herë në jetë. Unë nuk mbaj mend asnjë vend anëtar që ka pasur 9 ratifikime për një muaj e gjysmë”,- tha ambasadori i Sllovenisë, Millan Jazbec.

Në shtatëdhjetë vjetorin e themelimit të Aleancës, kryeministri Zaev pret që Maqedonia e Veriut të zë stolin e 30 në NATO. Sipas tij, vetë nënshkrimi i protokollit ka sjellë rezultate në ekonominë e vendit.

“Numrat janë dëshmi e pakontestueshme se po përsëriten si te vendet e tjera, te ne, janë të shkëlqyera. Kaluam rekorde të reja, investimet e huaja janë dyfish më të mëdha se në vitet më të mira që nga mëvetësimi, industria shënon rritje për 7.5% ose për 12% krahasuar me vjet, papunësia bie, BPV i cili para 22 muaj ishte -1.8%, tani është 3,7%, kjo është NATO. NATO sjell inkurajim, stabilitet, siguri që përfundimisht japin refleksione”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.

Veç anëtarësimit të pritshëm në NATO, vendin e pret çelja e bisedimeve me BE-në. Zëvendëskryetarja e qeverisë, Radmilla Shekerinska, thotë se vendi ka punuar në zbatimin e reformave dhe çelja e bisedimeve është në agjendën e përbashkët të të dy palëve.

“Sot ka plotësime nga BE, e cila sqaron qartë se qëndrimi i KE-së, ashtu si vitin e kaluar, edhe sivjet, është që të fillojmë negociatat. Pra, nuk bëhet fjalë për pezullim, as për anulim, por për një agjendë të përbashkët të vendit tonë dhe KE-së”,- tha zëvendëskryeministri, Radmilla Shekrinska.

Maqedonia e Veriut shënon javën e NATO-s. Në debatin e organizuar nga Këshilli Euroatlantik i RMV-së, kreu i saj, Ismet Ramadani, tha se organizata ka kërkuar nga organizatat simotra me seli në Bruksel që të kontribuojnë që të përshpejtohet ratifikimi i protokollit dhe RMV-së të bëhet anëtarja e 30 e plotfuqishme e NATO-s.

Marketing