Jeanne Shaheen: Jemi këtu për të mbështetur Kosovën, përgjegjësit e sulmit të 24 shtatorit të japin llogari

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur senatorët amerikanë, Jeanne Shaheen dhe Peter Welch, në një takim të cili u përqendrua në zhvillimet e fundit në vend, me theks të veçantë sulmin terrorist të 24 shtatorit në veri të vendit, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Marketing

Pas takimit në një konferencë të përbashkët për media, senatorja Jeanne Shaheen, ka thënë se përgjegjësit për ngjarjen e 24 shtatorit duhet të japin llogari dhe se shpreson që Serbia do të bashkëpunojë në këtë drejtim.

“Është shumë e rëndësishme që përgjegjësit për ngjarjen e 24 shtatorit të japin llogari shpresoj që Serbia do të bashkëpunojë për këtë çështje dhe përgjegjësit të japin përgjegjësi para drejtësisë. Ne jemi këtu për të mbështetur Kosovën, një shtet që SHBA-të me shumë krenari e kanë mbështetur gjatë viteve i kemi vlerat e njëjta dhe do të vazhdojmë të qëndrojmë përkrah juve”, është shprehur ajo.

Ndërkaq, Presidentja Osmani ka ritheksuar se ky akt i agresionit është organizuar nga Serbia, dhe ka informuar lidhur me dëshmitë e saj të mbështetura nga institucionet e sigurisë të Kosovës.

Ajo ka vlerësuar përpjekjet e Kosovës për zbatimin e ligjit, në kundërshtim me veprimet e Serbisë, ku, sipas saj, Qeveria e Aleksandër Vuçiçit nuk ka ndërmarrë masa për arrestimin e anëtarëve të grupit terrorist dhe paramilitar, por i ka ofruar mbështetje dhe i ka glorifikuar ata.

“Senatorët Shaheen dhe Welch, i informova për rrjedhën e ngjarjeve, dëshmitë e si guruara nga institucionet tona të Sigurisë , si dhe hapat që Republika e Kosovës në koordinim të ngushtë me partnerët e saj po ndërmerr për t’i tejkaluar sfidat e sigurisë nga ky akt agresioni i Serbisë. Natyrisht që synime të tilla dashakeqe të Serbisë, nuk mjaftohen vetëm me Kosovën, por janë paralajmërim i qartë se Serbia duke shërbyer si satelit i Rusisë, ka për qëllim të destabilizojë tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor”, është shprehur Osmani.