Muharremi nga Kamza, për të siguruar jetesën mbledh mbetjet e riciklueshme në kazanet e plehrave. 60-vjeçari këtë e quan punë. Ai thotë që të sigurosh 300 lekë në ditë kërkon mundim të madh. Ky është rasti i një të varfëri i cili jeton nga mirëqenia e fqinjit. Në kazanin e plehrave ai merr edhe ato pak ushqime që gjen aty.
“Kur shkojnë njerëzit për punë hedhin ndonjë mbeturinë, ndonjë gjë, kanaçe, shishe suko… Edhe këto supermarketet hedhin ndonjë tufë spinaq ose presh. E marr, e laj dhe e konsumoj tek shtëpia”, tregon Muharremi.
Prej 7 vitesh, çifti i të moshuarve jeton pa drita dhe pa ujë. Ata thonë që kurrë nuk do të kenë mundësi të pagujnë detyrimet ndaj shtetit, pasi të ardhurat e vetme të kësaj familjeje janë ato që siguron Muharremi.
“Ndihmën ekonomike na e dhanë vetëm tre muaj. Kam 8 vjet pa drita, nuk m’i lidhin sepse nuk kam fuqi t’i paguaj sepse i kam 4 milionë lekë borxh shtetit. Jam edhe pa ujë, 7 muaj që mungon. E marrim me kova nëpër komshinj se aq jemi, dy pleq, kjo është jeta jonë”, shprehet Muharremi.
Na dhemb i gjithë trupi, thotë gruja e Muharremit. Pavarësisht situatës së tyre, duket se shteti nuk i ka kthyer kurrë sytë nga familja Halili.