Jetë cilësore për qytetarët mundësohet me drejtësi joselektive, ndalja e migrimit të të rinjve bëhet me krijimin e infrastrukturës së nevojshme në arsim, ekonomi dhe çështjet e sigurisë.
Këto ishin porositë e ekspertëve që ia përcollën përfaqësuesve të BDI-së, e cila ka filluar serinë e debateve publike ku diskutohet rreth rezolutës programore që BDI pritet t’i miratojë në kongresin e katërt.
“Nëse ne kërkojmë një rini të shëndoshë, nëse kërkojmë që rinia të ngelet këtu, ne duhet t’i krijojmë infrastrukturë dhe infrastruktura është edhe shkollimi, edhe siguria edhe gjykatat më efikase, jo gjykatë të padrejtë kur realisht shihet se si gjykohen rastet.”,- u shpreh profesori universitar, Ferat Polisi.
“Nëse ne jemi të majorizuar në vendimmarrje, nëse nuk jemi anëtarë të NATO-s dhe BE-së, nëse nuk kemi qasje të njëjtë në resurse, atëherë nuk mund të kemi jetë cilësore për shqiptarët e Maqedonisë.”,- tha profesori universitar, Blerim Grubi.
Përfaqësuesit e politikës i bënë thirrje të rinjve që të kyçen në mënyrë aktive në proceset e rëndësishme në shtet.
“Gjenerata e re të kyçet direkt në veprim, mos të presë gati, të them pak më direkt. Tani ne jemi të gjeneratës së vjetër, por nuk duhet të lëshohet vendi aq lehtë, duhet të bëhet një sakrificë më e madhe.”,- theksoi zëvendëskryeministri për sistem politik, Sadulla Duraku.
Përfaqësuesit e BDI-së theksuan se anëtarësimin i plotë i vendit në BE domosdoshmërisht do të krijojë shtet të së drejtës me mundësi zhvillimi dhe perspektivë për të rinjtë.