Jovanovska po “pastron” Fondin Pensional nga shqiptarët

Biljana Jovanovska, drejtoresha e Fondit Pensional dhe Invalidor (FPI), duket se detyrë të vetme e ka “pastrimin” e institucionit nga shqiptarët. Për një muaj sa qëndron në krye të FPI-së, ka shkarkuar katër udhëheqës sektori shqiptarë, ndërsa me persona nga jashtë institucionit, ndaj punonjësve tjerë kryhen trysni nga më të ndryshmet. Filiz Mehmeti tashmë është shkarkuar nga detyra – udhëheqëse e sektorit për resurse njerëzore, Mira Jusufi nga Sektori i Jashtëm, ndërsa Femi Beqiri është shkarkuar nga detyra – udhëheqës i Sektorit për Likuidim. Janë shkarkuar edhe të tjerë në Shërbimin Juridik, ndërsa në kundërshtim me rregulloren e punës, janë dërguar madje në Sektorin e zgjidhjes së lëndëve në pozitë më të ulët.

Marketing

Megjithatë, Jovankovska nuk është ndalur këtu. Udhëheqësve tjerë të Sektorëve, ashtu sikurse shefave shqiptarë të Njësive administrative brenda FPI-së, u ka ofruar “marrëveshje” që, vullnetarisht të dorëhiqen nga detyrat dhe të zgjedhin vende tjera pune, brenda institucionit. Shkarkime ka nisur edhe në Njësinë e Shkupit, ku përfaqësimi i shqiptarëve ishte në nivel të duhur. “Hakmarrjet” ndaj shqiptarëve, në emër të Jovanovskës, i kryen bashkëshorti i saj, Tomçe Gjurovski. Ky i fundit sillet si “drejtor”, ndërsa nuk ka ditë që nuk shkakton skandale me punonjësit shqiptarë.

HEQJA E MBISHKRIMEVE NË GJUHËN SHQIPE

“Gati për çdo ditë, Tomçe dhe persona tjerë që nuk janë punonjës të institucionit, futen në zyrat tona të punës dhe kryejnë mobing. Kërkojnë dosje të ndryshme, të tonat personale, ndërsa ka raste kur të njëjtat i nxjerrin edhe jashtë institucionit. Është situatë e padurueshme, do të shkaktohet ndonjë incident më i madh”, ankohen punonjësit shqiptarë, ndërsa shtojnë se ditë më parë, herët në mëngjes, një kamion është ngarkuar me dokumente nga FPI dhe i njëjti është kthyer pasdite brenda institucionit, pa dhënë sqarime askush se ku shkuan dhe çfarë ndodhi me këtë ngarkesë.

Është rreptësishtë e ndaluar dhe njëkohësisht vepër penale nxjerrja e dokumentacionit apo dosjeve jashtë institucionit pa autorizim dhe qëllim konkret. Një kamion i ngarkuar me dosje të palëve është larguar nga FPI në drejtim të panjohur dhe gjithë ditën FPI ishte pa dokumente. Në mesditë, i njëjti është kthyer kur punëtorët kishin përfunduar orarin e punës. Asnjë autorizim zyrtar apo arsyetim nuk është dhënë se çfarë ndodhi dhe ku shkuan dosjet. Thonë jozyrtarisht se janë kthyer në FPI, por nuk është evidentuar asgjë zyrtare se çfarë ka pas dhe çfarë është kthyer nga këto dosje”, thonë për gazetën KOHA punonjës që kanë parë kamionin e ngarkuar me dosje. Hakmarrja e Tomçe Gjurovskit, bashkëshort i drejtoreshës Jovanovska, ka nisur që më 30 tetor, madje akoma pa u emëruar zyrtarisht Biljana Jovanovska në krye të Fondit Pensional dhe Invalidor. Që në orën 7:30 mëngjesin e 30 tetorit, Jovanovska e shoqëruar me bashkëshortin dhe dy persona tjerë, futen në FPI dhe madje edhe thyejnë derën e zyrës së drejtorit gjeneral Shaip Zeneli.

“E gjitha hakmarrja e Tomçes dhe Biljanës ndaj shqiptarëve daton që në vitin 2011, kur udhëheqësia e atëhershme e FPI-së, e pati shkarkuar Tomçen nga puna në Fond. Tani, me insistim të Jovanovskës, është aktualizuar padia penale e Tomçes ndaj Fondit, ndërsa kërkon mbi 100 mijë euro dëmshpërblim, pasi ankohet se është shkarkuar nga puna në kundërshtim me ligjet. Dhe, tani në bashkë-ndihmë nga gruaja e tij, drejtoresha Biljana, Tomçe shpreson të fitojë rastin në gjyq dhe të dëmshpërblehet me mbi 100 mijë euro”, tregojnë punonjës me të vjetër në Fond dhe që e dinë mirë historikun e hakmarrjes së bashkëshortit të drejtoreshës.

Përveç hakmarrjes ndaj punonjësve shqiptarë, Biljana Jovankovskës i pengon edhe përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe brenda Fondit Pensional dhe Invalidor. Ajo tashmë ka larguar të gjitha mbishkrimet edhe në gjuhën shqipe në hyrje të Fondit, te Sektori informativ për palët. “Mbishkrimet edhe në gjuhën shqipe që i kishim në hyrje të FPI-së, tashmë janë larguar me urdhër të drejtoreshës, ndërsa janë larguar edhe mbishkrime tjera në katet tjera të ndërtesës. Është situatë e padurueshme dhe aq stresuese, pasi edhe punonjësit maqedonas ndjehen nën kërcënim të vazhdueshëm. Nuk e besojmë se ka ndonjë institucion tjetër shtetëror që kanë ‘shefa’ punëtorë nga jashtë”, thonë për KOHA punonjës të FPI-së.

BORXHI I ZAEVIT NDAJ JOVANOVKËS

Lidhjet e Biljana Jovanovskës me LSDM-në datojnë që në vitin 2015, kur Partia për Ndryshime Ekonomike (PNE) me kryetare Jovanovskën, firmosi marrëveshje koalicionuese me partinë e Zoran Zaevit. PNE nuk arriti të fitojë asnjë deputet as atëherë dhe as në zgjedhjet e këtij viti, por në LSDM thonë se Jovanovskës i ofruan poste drejtorësh pasi ka ndihmuar LSDM-në me vota. “Zaevi i ka premtuar një drejtori të rëndësishme Jovanovskës, pasi si kryetare e PNE-së, e ka mbështetur LSDM-në dy palë zgjedhje parlamentare dhe në zgjedhjet lokale të 2017-ës.

NEPOTIZËM DHE MOBING EDHE NË AGJENCINË PËR PUNËSIM

Jovanovska edhe në të kaluarën është e njohur me skandale të shumta. Derisa ishte drejtoreshë e Agjencisë për Punësim në Shkup, që në ditët e para të detyrës, ajo ishte bërë e njohur për nepotizëm dhe mobing në institucion. Në fakt, mobingun, sikurse tani në FPI, edhe në Agjencinë për Punësim e kishte kryer burri i saj, Tomçe. Ky i fundit e kishte punësuar djalin e tij, Nikolla Gjorovski, ashtu sikurse edhe motrën – Tërpana Bisovska. Në Agjencinë për Punësim ishte punësuar edhe nipin Goran Petrovski dhe e bija Sllagjana Angelevska. (koha.mk)