Ylli i muzikës, Justin Bieber, po i ngacmon fansat në rrjetet sociale, duke postuar video të shkurtra ku ai shihet duke i ushtruar performancat e tij, pak para koncertit special të këngëtarit për natën e Vitit të Ri.
Duke u bërë bashkë me kompaninë “T-Mobile” në organizimin e ngjarjes, “NYE Live with Justin Bieber”, këngëtari kanadez do ta mbajë koncertin e tij të parë të plotë, në tre vjetët e fundit.
Ngjarja muzikore që do të transmetohet live e sjell 26-vjeçarin Bieber në skenë, të shoqëruar nga bendi i përbërë prej pesë anëtarësh dhe një grup i valltarëve.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Justini ka deklaruar se po ndihet i bekuar për këtë rast unik për të performuar në natën e Vitit të Ri.
Ylli i hiteve “Holy” dhe “Lonely”, po ashtu i ka postuar disa video nga provat e koncertit, duke i paralajmëruar fansat se do të jetë një natë e çmendur e mbushur me muzikë dhe argëtim.
Koncerti transmetohet falas për konsumatorët e kompanisë telefonike “T-Mobile” në Amerikë.
Në fillim të vitit, Justin Bieberi bashkëpunoi me korin e Londrës “Lewisham and Greenwich NHS Choir”, për ta promovuar një këngë bamirëse. Të ardhurat e versionit special të hitit të tij, “Holy”, janë ndarë ndërmjet dy fondacioneve bamirëse.