“Jutarnji list”: BE i tradhtoi shumë shtete, por asnjë si Maqedoninë e Veriut

Bashkimi Evropian i ka tradhtuar shumë shtete, por një thuajse e shkatërroi. Është e pakontestueshme se për tensione të reja eventuale në shtet dhe jostabilitetin politik përgjegjësinë e mban edhe Bashkimi Evropian, shkruan sot “Jutranji list” duke e komentuar dorëheqjen e kryeministrit Zoran Zaev pas mbajtjes së raundit të dytë të zgjedhjeve lokale të dielën.

Marketing

Gazeta thekson se BE tashmë dy ditë nuk është duke reaguar për situatën e sapokrijuar në Maqedoninë e Veriut. “Mund të kuptohet edhe qëndrimi se nuk komentojnë rezultate të zgjedhjeve, veçanërisht lokale. Por dorëheqja e kryeministrit e ndryshon situatën politike jo vetëm në Maqedoni, por edhe më gjerë”, shkruan “Jutarnji list”.“Kryetari i Qeverisë së Maqedonisë, gjegjësisht Maqedonisë së Veriut (ky shtet ishte i detyruar ta ndryshojë edhe emrit me shpresë që të hapen dyert e integrimit në BE), Zoran Zaev dha dorëheqje pasi partia e tij përjetoi disfatë të rëndë në zgjedhjet lokale. Në shikim të parë kjo duket si akt i arsyeshëm, dëshmi për ndjenjën e përgjegjësisë për mossukses, që edhe nuk është ndonjë karakteristikë e politikanëve në Ballkan. Lideri i partisë është më meritori kur fitohet por është edhe më i përgjegjshmi kur humbet. Por dorëheqja e Zaevit ka kontekst dukshëm më të gjerë”, vlerëson “Jutarnji list”.Gazeta shton se dorëheqja vjen në kohën kur Maqedonia e Veriut edhe njëherë është bllokuar në rrugën drejt BE-së. Kësaj here, shkruan gazeta, këtë e bëri Bullgaria me të cilën kontestohen rreth çështjeve identitare, duke e përfshirë edhe përkatësinë etnike të disa personaliteteve historike. Për shembull nëse Goce Dellçev është maqedonas ose bullgar. “Përgjigjja e kësaj pëyetje për momentin është pengesa më e madhe në procesin e zgjerimit të BE-së. Jo vetëm për Maqedoninë e Veriut por edhe për Shqipërinë, pasi nëse Bullgaria e bllokon Maqedoninë, atëherë disa shtete të tjera nuk pajtohen negociatat inkuadruese të hapen me Shqipërinë. Dhe kështu i gjithë procesi rri pezull”, komenton “Jutarnji”.Qeverinë reformuese e Zoran Zaevit, vazhdon gazeta, kundërshtarët e kanë akuzuar për tradhëtimin e interesave kombëtare dhe kjo Qeveri me shpresë se me këtë do ta mënjanojë pengesën e fundit në rrugën drejt BE-së u pajtua me ndryshimin e emrit të shtetit. “Dhe me të vërtetë, Greqia e hoqi bllokadën e saj, megjithatë, pas kësaj, pasoi bllokada nga Bullgaria dhe se kontesti me këtë shtet është pengesa e vetme”, vlerëson gazeta.Është e vështirë të besohet, komenton më tej “Jutarnji”, se vetë Bullgaria mund të kishte penguar hapjen e negociatave të BE-së me Maqedoninë e Veriut, që është vetëm hapi i parë në rrugën e gjatë drejt integrimit, pa pëlqimin e heshtur të disa vendeve të tjera. – Nëse vërtet do të kishte për qëllim që Gjermania dhe Franca të hapnin negociatat, kjo do të ndodhte. Do të gjendej një mënyrë për të bindur Bullgarinë të hapë negociatat tani dhe të zgjidhë çështjet e pazgjidhura gjatë procesit, shkruan gazeta.“Asnjë kompromis për 15 vjet nuk i mjaftoi BE-së për të përmbushur premtimin e saj. Pra, sakrifica që e bëri Qeveria e Zoran Zaevit ishte e kotë. Në atë mënyrë BE-ja e la Maqedoninë në baltë, i tradhtoi pritjet dhe nuk i përmbushi jo vetëm premtimet, por edhe obligimet e qarta. BE-ja deri më tani ka zhgënjyer edhe vende të tjera, por asnjë si Maqedonia e Veriut. Në fillim të shekullit të 21-të, Maqedonia ishte vendi i parë në rajon në rrugën drejt BE-së, përpara Kroacisë. E para e kishte dakorduar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit. Dhe derisa Kroacia e përfundoi rrugën e saj drejt anëtarësimit dhe u bashkua me BE-në më shumë se tetë vjet më parë, tani Maqedonia është ende duke pritur për hapin e parë, hapjen e negociatave,” potencon “Jutarnji”.

Marketing