Juventusi vijon dominimin absolut në futbollin italian, teksa në Jeddah të Arabisë Saudite fitoi edhe Superkupën Italiane të vitit 2018, duke mposhtur në finale Milanin me rezultatin minimal 1-0.
Në fakt bardhezinjtë fituan gjithçka në sezonin e kaluar në Itali, por ashtu siç parashikohet nga rregullorja, pikërisht finalistja e Kupës së Italisë u përzgjodh edhe për finalen e Superkupës, që sërish shkoi në favor të Juventusit.
Sfida u vendos nga një gol i shënuar nga Cristiano Ronaldo në minutën e 61-të të takimit, me portugezin që shfrytëzoi në mënyrë perfekte një krosim të Pjaniç dhe mposhti Donnarummën me kokë, duke fituar trofeun e parë me skuadrën bardhezi.
Meriton përgëzime edhe skuadra e Gattusos, e cila luajti si e barabartë dhe kërkoi deri në fund golin e barazimit, ndonëse që prej minutës së 73-të, luajti me një lojtar më pak, pasi Kessie u ndëshkua me karton të kuq për një ndërhyrje të ashpër ndaj Pjaniç.
Sulmuesi Patrick Cutrone ishte nga më problematikët për mbrojtjen e Juventusit, pasi përveçse një rrezik konstant, goditi edhe traversën e portës së Szczesnyt, kur rezultati ishte ende i barabartë.
Me këtë triumf Juventusi çon në 7 numrin e Superkupave të fituara, nga 13 herë gjithsej kur ka garuar, ndërsa po 7 herë e ka fituar edhe Milani këtë trofe, por sot njohu dështimin e katërt në historinë e këtij kompeticioni.