Sot, në moshën 85-vjeçare, ka ndërruar jetë Hashim Shala, kultivuesi i folklorit burimor shqiptar.
Hashim Shala u lind në vitin 1936 në fshatin Vërbofc të Drenicës. Gjatë veprimtarisë së tij ka shkruar tekste dhe ka komponuar me qindra këngë të bazuara në folklorin burimor shqiptar. Hashim Shala ka marrë pjesë në qindra festivale brenda ish-Jugosllavisë dhe në botë, ku ka përfaqësuar në mënyrën më të denjë rrënjët e folklorit shqiptar dhe trashëgiminë kulturore vendore.
Komponimet e Hashim Shalës janë karakterizuar me melodi të këndshme të përcjella me çifteli e sharki, ndërsa zëri dhe diksioni i tij kanë qenë të ëmbël, me një qartësi të spikatur të çdo fjale të kënduar. Hashim Shala ka publikuar me dhjetëra albume të këngës folklorike në Kosovë dhe jashtë saj.
I ndjeri ka qenë punëtor shumëvjeçar i RTP-së.