Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i ka bërë thirrje opozitës që të lë menjëanë dallimet partiake dhe të marrin pjesë në dialog.
Ai në një postim në Facebook ka shkruar se vendit aktualisht i duhet një kohezion politik i brendshëm, njofton Klan Kosova.
“Kohezioni politik i brendshëm, është i domosdoshëm, për të mundësuar forcimin e pozicionit negociator të Kosovës si dhe për të përmbushur aspiratat që ne kemi për të zënë vendin që na takon në OKB, BE, NATO dhe forumet tjera ndërkombëtare”, ka shkruar kreu i Kuvendit.
Po ashtu Veseli ka thënë se do të ftojë opozitën edhe personalisht në një takim gjithëpërfshirës për t’u dakorduar dhe ndërtuar bashkëpunim mes vete.
Ja postimi i plotë:
Rezoluta që kemi propozuar, së bashku me partnerët e koalicionit, nuk duhet parë thjesht si një veprim politik i koalicionit qëverisës, por si një propozim në interes të shtetit. Në këtë rezolutë jemi përpjekur që të inkuadrojmë dhe harmonizojmë të gjitha pozicionet dhe deklaratat e shprehura në këtë periudhë, mbi çështjen e fazës finale të dialogut me Serbinë.
Kohezioni politik i brendshëm, është i domosdoshëm, për të mundësuar forcimin e pozicionit negociator të Kosovës si dhe për të përmbushur aspiratat që ne kemi për të zënë vendin që na takon në OKB, BE, NATO dhe forumet tjera ndërkombëtare. Prandaj, ftoj të gjithë kolegët e opozitës, që të lënë mënjanë dallimet partiake, dhe të bëhen pjesë e procesit të dialogut.
Në ditët në vijim do t’i ftoj personalisht në një takim gjithëpërfshirës në mënyrë që të dakordohemi dhe kështu të ndërtojmë një frymë bashkëpunimi për këtë temë kaq të rëndësishme për vendin.