Kadri Veseli para Dhomave të Specializuara

Ish-kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli po bën paraqitjen e parë para Dhomave të Specializuara në Hagë. Ndaj tij rëndojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Marketing

Veseli, që gjatë luftës ka qenë anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u arrestua më 5 nëntor dhe u dërgua në qendrën e paraburgimit në Hagë.

Ai dyshohet për vepra penale që kanë të bëjë me krime lufte, ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit, burgosje, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje të paligjshme, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit, 1999. 

Sipas aktakuzës, krimet dyshohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës, por edhe në Kukës dhe Cahan në Shqipërinë Veriore “dhe u kryen nga anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë aktive në luftime”.

Dhomat e Specializuara pretendojnë se për këto krime, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi mbajnë përgjegjësi penale si individë në bazë të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale për krimet e paraqitura në aktakuzë.

Në aktakuzë pretendohet se nga marsi i vitit 1998 deri në shtator të 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtar të tjerë të “ndërmarrjes së përbashkët kriminale kanë ndarë qëllimin e njëjtë për të marrë dhe ushtruar kontrollin në gjithë Kosovën me të gjitha mjetet, përfshirë edhe frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e atyre që i konsideronin kundërshtarë”.

Kundërshtarët, sipas aktakuzës, ishin njerëz që u perceptuan se kanë “bashkëpunuar me forcat e ish-Republikës Jugosllave, me zyrtarët apo institucionet shtetërore ose nuk mbështesnin qëllimet e UÇK-së, përfshirë personat e lidhur me LDK-në dhe persona të etnisë serbe, rome dhe etnive tjera”.

Marketing