Gati në finish, pasi emrat e rinj që do duhet të drejtojnë BE duhet të miratohen edhe nga Parlamenti Europian. 27 krerët e BE vendosën të enjten me shumicë të emërojnë, Ursula von der Leyen për presidente të Komisionit Europian. Italia abstenoi, pas kishte pakënaqësi për emërimet. Antonio Costa emërua si drejtues i Këshillit të BE. Kurse kryeministrja estoneze, Kaja Kallas pritet të jetë e ngarkuara e re BE për politikën e Jashtme duke zëvendësuar kështu të ngarkuarin aktual, Josep Borrell. Krerët e BE vendosën të enjten për kandidaturën e saj në samitin e Brukselit. Megjithata Kallas ka ende disa pengesa që duhet të kalojë derisa të emërohet përfundimisht si kryediplomatja e BE. Kallas vetë është shprehur, se nëse flitet për postin e të ngarkuarës së politikës së jashtme, bëhet fjalë vetëm për një kandidaturë. Në një intervistë për radion publike estoneze, Kallas tha se, të enjten (fjala është për samitin e BE ku përcaktohen emrat e posteve të rëndësishme në BE, shën.red.) nuk është ende e vendosur, se kush do të jetë i ngarkuari i ardhshëm i BE për politikën e jashtme. Bëhet fjalë vetëm kush do të jetë kandidat.” Por ky është “nder i madh për mua dhe Estoninë.” Planet e Kallas ishin të të bëhej Sekretare e Përgjithshme e NATO-s, por për disa në NATO ajo konsiderohej politikane me një gjuhë të ashpër. Në konfliktin e Lindjes së Mesme, megjithatë, ajo mban një linjë më të ekuilibruar se Borrell, i cili konsiderohet i afërt me palestinezët.
Familje me traditë politike
47 vjeçarja, Kaja Kallas e njeh mirë politikën europiane dhe është një politikane shumë e kërkuar në samitet e BE. Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, Kallas ka kërkuar që Ukraina të ndihmohet shpejt dhe me eficiencë. Kallas mban një qëndrim të hapur kundër presidentit rus, Putin dhe është në listën e personave të kërkuar nga Rusia. “Ai do që të kemi frikë, po me këtë ne do t’i jepnim atij atë që do të arrijë. Prandaj nuk duhet të kemi frikë”, është shprehur Kallas në një intervistë pwr radion estoneze.
Kallas konsiderohet në Estoni si “zonja e hekurt”, megjithëse ka pak të përbashkëta me ish-kryeministren britanike, Margaret Thatcher. Ajo vjen nga një familje me traditë politike. Në vitin 1991, pas pavarësimit të Estonisë nga Rusia, babai i saj, Siim Kallas u bë ministër i Jashtëm dhe Financash. Ishte Siim Kallas që negocioi anëtarësimin e Estonisë në BE dhe NATO, si kryeministër estonez në vitet 2002-2003. Siim Kallas ka qenë edhe komisioner i BE për valutën e çështje ekonomike.
Kallas para politikës ka bërë karrierë si avokate. Me angazhimin në politikë, Kallas u bë eurodeputete dhe më pas kryeministrja e parë estoneze, vendin që ka një kufi direkt me Rusinë, ku jeton një minoritet i madh rus. Maja Kallas me qëndrimin e saj miqësor por të vendosur, ka bërë që Estonia të ketë peshë në BE.
Popullariteti i Kallas në rënie në Estoni
Media gjermane, “tagesschau” analizon kalimin e Kallas nga politika kombëtare në atë të BE, duke u shprehur se ky hap mund të ketë edhe arsye të brendshme politike. Popullariteti politik i Kallas ka vuajtur shumë pas masave të forta të kursimit të marra nga qeveria e saj. Në zgjedhjet europiane, partia e e reformave e Kallas u rendit e treta me rreth 17, 9%.
BE-ja nuk ka vërtet një ministër të jashtëm, sepse diplomacia konsiderohet si një detyrë kryesisht kombëtare. Në vend të kësaj, për rreth 15 vjet, BE ka një “Përfaqësues të Lartë për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë”, që drejton Shërbimin Evropian të Punëve të Jashtme (EEAS) me rreth 4,500 punonjës dhe është gjithashtu pjesë e Komisionit të BE-së. /DW