Kaliforni, zjarret marrin jetën e shtatë

Një tjetër person ka humbur jetën, duke u bërë viktima e 7 e zjarreve të furishme në Kaliforni, gjatë së shtunës, teksa disa vatra të reja u zgjeruan me më shumë se 25 për qind të hapësirës përgjatë natës dhe vijuan edhe gjatë ditës.

Marketing

Të tjerë banorë u urdhëruan të linin shtëpitë e tyre, të ndihmuar nga zjarrfikës të cilët u rraskapitën teksa duronin temperaturat e larta dhe erërat e dendura me nxehtësi.
Zjarri i rënë rreth 261 km në veri të Sacramentos i mori jetën një punonjësi të një kompanie energjetike që merrej me shtrirjen e kabllove, të shtunën, edhe pse asnjë detaj mbi këtë vdekje nuk është bërë publik, as nga zëdhënësi i kompanisë, e as nga zyrtarët e qytetit apo zjarrfikësit.

Zjarret “Carr”, ndër më shkatërrimtarët në historinë e Kalifornisë, kanë shkaktuar vdekjen e 6 personave, përfshi një stërgjyshe dhe dy fëmijë, një zjarrfikës dhe një operator buldozerësh.

Këtë vit, zjarret e furishme në Kaliforni kanë shkrumbuar më shumë tokë në atë që konsiderohet si “fillimi i sezonit të zjarreve” sesa zakonisht, sipas drejtuesit të Zjarrfikësve të Kalifornisë, Ken Pimlott.

“Sezoni i zjarreve është vetëm në fillim, por nga ajo që shohim në terren, duket sikur jemi në pikun e sezonit, po t’iu referohemi rasteve të tjera historikisht. Të tilla kushte po i shohim vërtet që në fillim të sezonit, ndaj dhe duhet të përgatitemi për gjithçka”, tha Pimlott.

Ndërkohë, guvernatori i Kalifornisë, Jerry Brown, i cili vizitoi disa zona të shkrumbuara të shtunën, tha se “ky është një trend tashmë, një normalitet, ndaj duhet të përballemi me këtë situatë”.

Marketing