Kalifornia përballet me zjarret më të mëdha në histori

Dy zjarre në veri të Kalifornisë, të cilat kanë nisur si pasojë e motit të nxehtë, janë kthyer të hënën në zjarret më të mëdha në historinë e këtij shteti, pas një ere të nxehtë që ka shkaktuar zgjerimin e tyre, transmeton AP.

Marketing

Të dyja zjarret që kanë nisur shumë afër njëra-tjetrës, dhe njihen si Kompleksi Mendocini janë duke u trajtuar si incident i vetëm.

Zyrtarët e zjarrit kanë njoftuar të hënën se dy zjarret kanë përfshirë një territor prej 1,148 kilometrash katrorë.
Këto dy zjarre kanë shkatërruar 75 shtëpi dhe kanë detyruar mijëra persona të largohen nga zonat e banimit të tyre, çka ka shtyrë presidentin amerikan, Donald Trump të deklarojë “katastrofë të madhe” në këtë shtet.

Zgjerimi i territorit të përfshirë nga zjarri tejkalon një zjarr të dhjetorit të vitit të kaluar në jug të Kalifornisë, i cili kishte djegur 1,140 kilometra katrorë.

Si pasojë e atij zjarri kishte humbur jetën një zjarrfikës dhe ishin shkatërruar më shumë se 1,000 ndërtesa derisa flakët ishte ndalur plotësisht më 12 janar.

Ekspertët për klimë dhe zjarre kanë thënë se ndryshimi i klimës është duke ndikuar në tharjen e bimëve dhe nxitjen e nisjes së zjarreve, të cilat me shpejtësi më pas po barten nga zonat rurale në pjesët urbane.

Mirëpo ata po ashtu kanë fajësuar qytete dhe qyteza që po zgjerojnë hapësirat e banimit në zonat që dikur kanë qenë të pazhvilluara.

Zëdhënësi për Mbrojtje nga Zjarri, Scott McLean, ka thënë që më shumë se 14,000 zjarrfikës janë duke u përballur me dhjetëra zjarre në gjithë Kaliforninë.

“Më kujtohet disa vjet më parë kur kemi parë 10 deri në 12,000 zjarrfikës në Kaliforni, Oregon dhe Uashingtoni, mirëpo kurrë nuk kemi parë 14,000 sikurse tani”, ka shtuar ai.

Marketing