Kalim i paligjshëm drejt SHBA, goditet rrjeti i falsifikimit të pasaportave diplomatike

Një rrjet i falsifikimit të pasaportave diplomatike, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufijve drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës është goditur nga policia.
Gjatë operacionit policor të koduar “PBF” në bashkëpunim me partnerët amerikanë janë arrestuar dy persona D. M. dhe G. P., banues në Korçë, ndërsa janë në hetim disa të tjerë. Për G. P., gjykata caktoi masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për shkak të moshës.

Marketing

Gjithçka nisi kur në muajin prill shërbimet e Komisariatit të Policisë në Rinas, në bashkëpunim me Njësinë Speciale Policore “Joint Shield”, arrestuan shqiptaren D. I., 56 vjeçe, në tentativë për të udhëtuar drejt SHBA-së, me një pasaportë diplomatike false, për të cilën pretendonte se ishte e lëshuar nga një OJF e njohur me emrin “PBF”, me seli jashtë territorit të Shqipërisë, raporton Topchanel.

Nga hetimi, kryesisht në qarkun e Korçës janë grumbulluar prova për të paktën katër shqiptarë të dyshuar të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Gjatë kontrollit në katër banesa dhe ambiente të tjera, janë gjetur dokumente dhe pajisje të ndryshme elektronike, të cilat do t’i nënshtrohen ekzaminimeve të mëtejshme.

Policia thotë se hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale vijojnë ende.