Qeveria pritet që me më shumë masa të stimulojë kalimin e një pjese të punëtorëve të administratës që do të vlerësohen si të tepërt të kalojnë të punojnë në sektorin privat. Pritet që në kuadër të riorganizimit të administratës publike dhe shtetërore diku të rritet dhe diku edhe të zvogëlohet numri i administratës, ndërsa parashikohet edhe mbyllje e disa institucioneve. Nga Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës thonë se shteti do të paguajë pagat për disa vjet me qëllim që të orientojë punëtorët në administratë që të kalojnë në sektorin privat,do të ndihmojë me mbështetjen financiare për rikualifikimin e tyre me qëllim që më lehtë të punësohen nga sektori i biznesit dhe e treta është që nëse sektori privat ofron paga më të larta për punëtorët e administratës, atëherë shteti do të paguajë kontributet për një periudhë të caktuar kohore, shkruan gazeta KOHA. Sektori i biznesit vlerëson se ky proces nuk do të jetë i lehtë dhe do të kërkojë kohë për tu realizuar.
“Një reformë e tillë kërkon një kohë më të gjatë prej së paku pesë vitesh, ndërsa për punëtorët që do të kalojnë në sektorin privat dhe do të lëshojnë punën në administratë ju nevojitet një ndihmë financiare përmes formave të ndryshme si për punësim, apo përmes fondeve të ndryshme siç është ai i inovacionit, por edhe trajnime të ndryshme për të hyrë në sipërmarrje”, thotë numri një i Konfederatës së Biznesit në Maqedoni, Mile Boshkov. Nga Lidhja e Odave Ekonomike thonë se një proces i tillë kërkon analiza dhe bisedime të kujdesshme me qëllim të transferit të atyre të punësuarve në administratë për të cilat vlerësohet se nuk mund të punojnë më në administratën publike. “Një nga çështjet që shtrohen për debat janë edhe kriteret e sakta për tepricën e punëtorëve në administratë, dhe sa analizat do të tregojnë se çfarë arsimi dhe shkathtësie posedon administrata me qëllim që një pjesë e saj të jetë tërheqëse për të kaluar të punojë në sektorin”, thonë nga Lidhja e Odave ekonomike.
Nga ana tjetër, njohësit e mirë të administratës publike dhe shtetërore në vend, vlerësojnë se një nga faktorët kryesor të kalimit të një pjese të administratës do të jetë stimulimi jo vetëm material, por edhe i përparësive të tjera që do të fitojnë nëse kalojnë të punojnë në kompanitë private.
“Në administratë nuk mungojnë persona me përvojë të madhe që kanë edhe cilësi të larta , të cilët të joshur me paga më të larta, mund edhe seriozisht të mendojnë të kalojnë të punojnë te private”, thotë eksperti Temelko Risteski. Sipas tij, sektorit privat edhe i duhen çdo herë punëtorë të vyeshëm, që do të ndihmojë rritjen e produktivitetit dhe punës së tij.
Kohë më parë nga Ministria e Administratës dhe Shoqërisë Informatike, theksuan se nuk është problem madhësia e administratës por rritja e cilësisë së shërbimeve që ajo i ofron.
Nga atje thonë se krahas rritjes së efikasitetit të punës së administratës, nevojitet edhe një riorganizim i ri i më shumë institucioneve publike për shkak se shpesh atyre ju përputhen kompetencat. Pritet që në fund të muajit janar të përgatitet edhe ligji i ri për organizimin e organeve të administratës shtetërore, si dhe të propozohet dhe ulje e numrit të institucioneve, ku për shembull analizat tregojnë se ka nevojë të zvogëlohet numri i inspektorateve nga 27 në 13. Pritet që fundi i këtij muaji të ofrojë edhe masa dhe pako konkrete për transferin e një pjese të administratës në sektorin privat. Nga Ministria e Administratës dhe Shoqërisë Informatike thonë se nuk është qëllimi që njerëzit të mbesin pa punës, por të krijohet mundësia që firmat private të gjejnë interesin e tyre për punëtorë, ndërsa shteti të ulë koston e harxhimeve për të punësuarit në sektorin publik. (koha.mk)