Kallazim penal për 6 persona për rastin në Kopshtin Zoologjik

Kallëzim penal ndaj drejtorit të deritanishëm të kopshtit zoologjik të Shkupit dhe pesë personave të tjerë për rastin që shqetësoi opinionin. Janë therrur dhjetë kafshë, kuaj dhe një mushkë për të marrë mish për kafshët e egra.

Marketing

Sipas ministrit të Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, ky imazh nuk i takon një institucioni që duhet të merret me ruajtjen dhe përkujdesjen ndaj kafshëve.

“Mendoj se, procedura si para Prokurorisë ashtu edhe para organeve kompetente duhet të shkojë deri në fund, që të dërgohet një mesazh i qartë se sjellje të tilla nuk guxojnë të tolerohen në të ardhmen” – tha Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.

Agjencia për ushqim dhe veterinari bën të ditur se ka pasur lëshime, nuk dihet origjina e kuajve të therrur dhe se gjendja e tyre shëndetësore, nuk janë futur në sistemin e institucionit.

“Nuk ka një dokument të tillë, as nga inspektori ynë veterinar, veteriner i autorizuar për kontrollimin e shëndetit të kafshës” – deklaroi Drejtori i Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari, Nikollçe Babovski.

Sipas drejtorit të shkarkuar të kopshtit zoologjik Kristian Stamenov, kuajt e therur ishin të dobësuar dhe të sëmurë. Ai pohon se ky nuk është rasti i parë i tillë në 12 vitet e fundit që është dëshmitar si punonjës. Unë nuk jam vrasës, thotë Stamenov.

“Dënimi që më vjen nga të njëjtët njerëz hipokrit që e kanë bërë vetë këtë shfrytëzim ekonomik, është jo vetëm mbi kuajt, por edhe për kafshët e tjera, për shembull gjirafën që kishte ngordhur” – u shpreh Drejtori i Koopshti Zoologjik, Kristijan Stamenov.

Përderisa Stamenov pretendon se janë respektuar të gjitha procedurat ligjore, kryetarja e qytetit të Shkupit, Arsovska, tashmë ka marrë vendim për shkarkimin e tij. Në rrjetet sociale kanë dalë edhe foto nga vendi ku janë therur kuajt.