Kamala Harris e pranon humbjen në zgjedhje: Duhet ta pranojmë patjetër rezultatin

Nënpresidentja Kamala Harris e ka pranuar humbjen në garën presidenciale kundër Donald Trump, në një fjalim që mbajti para mbështetësve të saj, të mbledhur në Universitetin Howard, shkruan Reporteri.net.

Marketing

Më herët, ajo e telefonoi Donald Trump dhe e uroi për fitoren në zgjedhje. Një këshilltar i lartë i saj, në kushte anonomiteti, ka thënë se Harris diskutoi me Trump rëndësinë e një transferimi paqësor të pushtetit.

“Rezultati i këtyre zgjedhjeve nuk është ai që dëshironim, për të cilin luftuam, dhe votuam”, tha Harris.

Në fjalimin e saj, ajo u bëri thirrje mbështetësve ta pranojnë disfatën e saj në zgjedhjet presidenciale 2024 dhe tha se do ta ndihmojë presidentin e zgjedhur Donald Trump gjatë kalimit të pushtetit.

“Ne jemi duke ndier dhe përjetuar një sërë emocionesh tani, e kuptoj. Por, ne duhet ta pranojmë patjetër rezultatin”, tha ajo.

“Derisa e pranoj humbjen në këto zgjedhje”, tha ajo, “nuk dorëzohem në luftën që e ushqeu këtë fushatë”.

“Nuk do të heq kurrë dorë nga lufta për një të ardhme ku amerikanët mund t’i ndjekin ëndrrat, ambiciet dhe aspiratat e tyre”, tha ajo. Amerika, shtoi ajo, “nuk do të heqë kurrë dorë nga lufta për demokracinë tonë”.

Ndryshe, Trump e mposhti Harris duke fituar 292 vota elektorale. Në moshën 78 vjeçare, ai është presidenti më i moshuar që i ka fituar zgjedhjet presidenciale në SHBA, duke ia kaluar Presidentit aktual Joe Biden, i cili ishte 77 vjeç kur e mposhti atë katër vjet më parë.

Kur të bëjë betimin më 20 janar, Trump do të bëhet presidenti i parë amerikan që ka shërbyer si i 45-ti dhe i 47-ti president i Shteteve të Bashkuara.

Përgjatë fushatës zgjedhore, Trump ka çuar përpara gjithçka që lidhet me ekonominë.

Është zotuar për të luftuar inflacionin, dhe për ta bërë “Amerikën të përballueshme sërish”.

Tjetër pikë e nxehtë është imigrimi.

Trump është zotuar për ndërtim të plotë të murit mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës, të cilin e kishte premtuar edhe në mandatin e parë.

Marketing