Kambovski: Ivanovi është i detyruar të nënshkruajë ligjet, jo të shfaqë qëndrime personale

Detyrim kushtetues i presidentit të shtetit është që t’i nënshkruajë ligjet dhe marrëveshjet të cilat i miraton dhe i ratifikon Kuvendi, ndërsa jo të shprehë qëndrime dhe interpretime personale. Këtë sot e deklaroi akademiku Vllado Kambovski duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve në Ohër ku po merr pjesë në punën e Shkollës verore për të drejtësi natyrore që po mbahet në organizim të Qendrës për hulumtime strategjike pranë Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë.

Marketing

Kambovski vlerëson se nuk duhet të pengohen proceset integruese të vendit të cilat janë të hapura me marrëveshjen për fqinjësi të mirë me Bullgarinë dhe marrëveshjen për zgjidhjen e kontestit të emrit me Greqinë, që duhet të konfirmohet me referendum, ndërsa pastaj edhe në Kuvend, pas çka nënshkrim duhet të vendosë edhe presidenti.

“Pasi të pranosh të bëhesh president dhe ke dhënë betim se e respekton Kushtetutën, atëherë është normale se duhet të sillesh sipas një përcaktimi të tillë. Nëse është ai sipas Kushtetutës je i detyruar, nuk bëhet fjalë për vullnet të lirë se a do ta nënshkruajë ose jo, se a do të ketë qëndrim të tillë ose të atillë, ajo është punë tjetër, obligim i tij kushtetues, prej këtu edhe ligjor është që ta nënshkruajë ligjin”, tha akademik Kambovski.

Ai vlerëson se edhe deklarata e paralajmëruar për referendumin e qytetarëve për kontestin mund të ketë sukses, gjegjësisht me qëndrim optimist se ekziston vullnet për rezultat të tillë te subjektet politike.

“Kundërshtimi i një hapi të tillë duhet të ofrojë ndonjë alternativë tjetër reale e cila do të japë ndonjë pasqyrë se Maqedonia mund të dalë nga kriza e thellë shoqërore. Unë pres që në fund do të sundojë vetëdija te partitë më relevante politike se është ky drejtim i mirë dhe i duhuri”, theksoi Kambovski.

Ai paralajmëroi se Qendra për hulumtime strategjike pranë ASHAM-it në shtator do të organizojë konferencë shkencore në të cilën do të sqarohen vendimet nga Marrëveshja për zgjidhjen e kontestit për emrin.

Marketing