Kandidatët filluan garën, me çfarë diskursi po futen në fushatë?

Tre kandidatët për president, profesorët Pendarovski, Siljanovska dhe Reka këto ditë në një farë mënyre e filluan fushatën dhe duket se janë në qendër të vëmendjes. Edhe pse deri në fillimin zyrtar të fushatës ka edhe tre javë, kandidatët e filluan garën duke zhvilluar takime me qytetarët, me pjesëmarrje në ngjarje publike dhe intervista të vazhdueshme.

Marketing

Kandidati konsensual i LSDM-së dhe BDI-së, Pendarovski, në edicionin e djeshëm të emisionit Klik Plus në TV21 ndër të tjera foli për Marrëveshjen e Prespës, gjë që do të jetë temë gjatë fushatës së tij.

”Unë në të vërtetë do të doja ta anulojmë këtë marrëveshje, të hapim proces të ri të negociatave dhe në fund të arrijmë një marrëveshje më të mirë. Por kjo nuk është e mundur. I dimë njerëzit që janë në Greqi tani si dhe ata që mund të vijnë në të ardhmen, e dimë mendimin e faktorit ndërkombëtar”, theksoi kandidati për president konsensual i LSDM-së dhe BDI-së, Stevo Pendarovski.

Marrëveshja e Prespës dhe ndryshimi i emrit janë tema në takimet e përditshme mes kandidates Siljanovska dhe qytetarëve. Qëndrimet e saj janë të kundërta me qëndrimet e Pendarovskit dhe ajo shpeshherë del me kundër- reagime ndaj reagimeve të tij. Në lidhje me kundër- kandidatin Blerim Reka, në deklaratë për TV21, ajo tha:

“Blerim Reka e njoh personalisht dhe profesionalisht, mendoj se do të zhvillohet betejë me respekt dhe supozoj se kjo gjë do të jetë risi në diskursin zgjedhor, do të shohim”, tha kandidatja për presidente, Gordana Siljanovska.

Profesori Blerim Reka, i cili e ka përkrahjen e Aleancës për Shqiptarët dhe Besës, pret se do t’i fitojë votat e shqiptarëve. Në startin e zyrtarizimit të kandidaturës së tij, ai tha se shqiptarët nuk duhet të jenë vetëm votues, por edhe të votohen. Ai paralajmëroi fushatë të përgjithshme për sundimin e së drejtës dhe demokracinë funksionale.

“A mund të marrim datë me gjyqësor të korruptuar dhe administratë publike me nepotizëm, me Prokurori të pasigurt speciale, me gjyqësor dhe instrumente shtetërore të korruptuara. Me deputetë që kanë imunitet ndërsa janë të akuzuar, dhe me kriminelë të amnistuar”, kandidati i pavarur, Blerim Reka.

Fushata zyrtare për zgjedhjet presidenciale fillon më 1 prill, ndërsa dihet se në zgjedhjet e gjashta presidenciale do të garojnë vetëm tre kandidatë.

Marketing