Kandidati konsensual, Ahmeti: Nuk e pranojmë kandidatin që e ofron LSDM

Dështimi momental i kandidatit konsensual midis BDI-së dhe LSDM-së erdhi si pasojë e mungesës së reciprocitetit midis partnerëve të koalicionit qeverisës, deklaron kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti. Në emisionin debativ “Argument” në TVM2, Ahmeti thotë se nuk mund të mbështesë kandidatë të imponuar nga LSDM, pasi që, siç shprehet, nuk janë vazalë të partisë së Zaevit, ashtu edhe siç janë akuzuar.

Marketing

“Unë nuk mund të votoj një kandidat që votohet në kongresin e LSDM-së, sepse nuk e duron elektorati. Dalin me deklarata: ne do mbajmë kongresin, do ta caktojmë kandidatin dhe më pas do t’i ftojmë partitë politike. Unë në dasmë të huaj nuk shkoj, as në dasmë pa thirrur nuk shkoj dhe këto lëvizje që u bënë nga LSDM-ja të papërgjegjshme, nga disa anëtarë të udhëheqjes, mua më vendosën në një situatë ta them me shpatulla për muri prej elektoratit tim, prej bashkëdrejtuesve.

Po deri dje na akuzonin për patericë të VMRO-së, sot na akuzojnë për bisht të LSDM-së. Ne as patericë s’kemi qenë, as bisht nuk jemi, as nuk bëhemi dhe është bërë një analizë goxha e thellë dhe ne vendosëm që të dalim me kandidat tonin”,- tha kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

Megjithatë, Ahmeti lë të hapura të gjitha opsionet deri në publikimin e kandidaturave në mars. Kreu i BDI-së fton edhe partitë shqiptare të jenë të matur në deklarimet e tyre sa i përket mundësisë së kandidatit të përbashkët. Ahmeti thotë se BDI është kundër një krize të re politike, e cila mund të krijohej me dështimin e presidencialeve.

“E prishën atë atmosferë për t’u ulur dhe për të biseduar për një zgjidhje të përbashkët. Unë nuk jam për të bërë akrobacione, as patriotike as politike. Shqiptari në këtë vend akoma nuk ka rrethana të fitojë për president, por a mund të prish punë? prish punë dhe e fut vendin në krizë që nuk e di kokën ku e ka, sepse në në këtë situatë me dalë me kandidat, këtu ka krizë presidenciale, krijohet.

A duam ne të krijojmë krizë? Jo! Po të kishim qenë ne të tillë, të papjekur e të padurueshëm, nuk do të ishin arritur këto që janë arritur sot, këto suksese. Tema është e hapur, do të bisedohet, do të negociohet, nuk jam për të vepruar as për të punuar në eufori, as me gjaknxehtësi, por le të reflektojnë palët si flasin dhe çka deklarojnë”,- u shpreh kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

Ahmeti kundërshton idenë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Sipas tij, kryeministri Zaev do të duhet të fokusohet në përpilimin e agjendës ekonomike. Prioritete të BDI-së në të ardhmen do të jenë sundimi i ligjit, ambienti, cilësia në arsim, infrastrukturë, shëndetësi, standarde të cilat kërkohen edhe nga BE.