Këngëtari dhe producenti i njohur Kanye West ka dhuruar 2 milionë dollarë për të mbështetur familjet e George Floyd, Ahmaud Arbery dhe Breonna Taylor.
Vrasja e tre afro-amerikanëve ka ngjallur një revoltë dhe protesta jo vetëm në SHBA por edhe më gjerë. Shumë zëra nga bota e artit po bëjnë thirrje për t’i dhënë fund racizmit sistematik dhe brutalitetit policor.
Reperi do të mbulojë tarifat ligjore për familjet Arbery dhe Taylor dhe do të paguajë plotësisht shkollimin e kolegjit për Gianna Floyd, vajzën 6-vjeçare të George Floyd.
Ahmaud Arbery ishte duke vrapuar pranë shtëpisë së tij kur u qëllua dhe u vra pasi u ndoq nga dy burra të bardhë me armë, sipas autoriteteve. Ai ishte 25 vjeç. Travis McMichael, 34 vjeç dhe babai i tij, Gregory McMichael, 64 vjeç, u akuzuan për vrasje dhe sulm të rëndë, dy ditë pasi një video e vrasjes së Arbery u bë publike më shumë se dy muaj më vonë. Kjo shkaktoi një valë zemërimi dhe ngjalli shqetësime për pabarazitë e vazhdueshme racore në sistemin e drejtësisë.
Breonna Taylor, një mjeke 26-vjeçare e urgjencës, u qëllua tetë herë kur oficerët hynë në banesën e saj në Louisville më 13 mars. Ata ishin duke ekzekutuar një urdhër kërkimi si pjesë e një hetimi të drogës, por nuk u gjet asnjë drogë në shtëpinë e saj Procedimi gjyqësor akuzon oficerët për vrasje të gabuar dhe forcë të tepruar. Oficerët nuk po kërkonin partnerin e saj ose atë por për një të dyshuar i cili ishte në paraburgim dhe nuk jetonte në kompleksin e apartamenteve.
George Floyd ishte viktima e fundit e dhunës policore. Ai u mbyt teksa një oficer policie i kishte vendosur gjurin në grykë për rreth 8 minuta duke i shkaktuar asfiksi.
I gjithë zemërimi nga këto ngjarje ka shpërthyer në protesta prej më shumë se një jave në SHBA ku një pjesë e tyre kanë qenë të dhunshme dhe kanë përfunduar në përleshje të egra mes protestuesve dhe policisë. Në vende të tjera është vënë në rrezik siguria publike pasi njerëzit kanë dalë në rrugë dhe kanë plaçkitur dyqanet.
Thirrje për të ndalur dhunën janë bërë në të gjithë vendin por nga ana tjetër qindra protesta paqësore kërkojnë veprim për t’i dhënë fund racizmit si dhe çuarjen para përgjegjësisë të autorëve.