Kaosi në Shkup, Arsovska letër të hapur Mickoskit

Kryetarja e Shkupit Danella Arsovska i dërgoi një letër të hapur kryeministrit dhe kreut të VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski, ku i bën thirrje dhe e lutë që t’i bëjë të arsyeshëm këshilltarët e Shkupit në veprimet e tyre, që qytetarët të mos bëhen viktimë e 23 personave në Këshill. Arsovska beson se Qeveria ka mjete, kapacitet dhe vullnet politik për të paguar borxhet ndaj NQP-së prej 8 milionë euro, Higjienës prej 2.5 milionë eurove, por edhe Drislës të cilës, siç shkruan, vetëm Qendra Klinike i ka borxh 1 milion euro, si dhe borxhet ndaj Ujësjellësit dhe Kanalizimeve që kanë borxh me shuma milionëshe. Për Transportin Publik Arsovska propozon kështu:

Marketing

“Unë ju lus, ju si kryetar i Qeverisë, nëse nuk mund t’i bindni këshilltarët në qytetin e Shkupit që të votojnë për blerjen e autobusëve të rinj, këtë ta bëni ju. Blini autobusë për kryeqytetin. Nëse Qeveria nuk ka mjete për këtë qëllim, ne jemi të gatshëm me vendim të Këshillit të Qytetit të Shkupit që mjetet e nevojshme t’i transferojmë në llogari të veçantë, kurse ju ta kryeni blerjen”, pjesë nga letra e hapur e kryetares së Shkupit Danella Arsovska.

Arsovska letrën e mbyll duke propozuar që nëse këto janë të pranueshme, më 4 shtator të caktohet një seancë e jashtëzakonshme e Këshillit të Qytetit të Shkupit, ku do të vendosej për blerjen e 250 autobusëve të rinj ekologjikë, ndërsa Mickoski si kryetar i VMRO-DPMNE-së, përmes këshilltarëve, t’i propozojë kushtet për blerjen e autobusëve, mënyrën, dinamikën dhe financimin.