Kapet hajni në flagrancë, vodhi nëntë dyqane në Çarshinë e Shkupit (VIDEO) 

Brenda një jave, theu dhe vodhi nëntë dyqane, ndërsa në dy të tjera tentoi por pa sukses.

Marketing

Dyqanet që vodhi, kryesisht ishin argjendari, dyqane suvenirësh por edhe dyqan këpucësh. Në tentimin e tretë, kryerësi u kap në flagrancë, pas koordinimit të përbashkët mes shitësve në Çarshi dhe policisë. Paraprakisht, vjedhësi vinte gjatë ditës për të shqyrtuar kushtet për vjedhje, ka hyrë për të pyetur për çmimet e produkteve, dhe për të shikuar nëse dyqanet kanë kamera sigurie.

Kryetari i Esnafit të Çarshisë, Bujar Dullovi, na njoftoi se personi në fjalë, ka operuar pas mesnate, atëherë kur dritat në Çarshi janë të fikura.

“Në mbrëmje kur janë fikur dritat pas orës 1:30 ai ka operuar, ku natën e parë para një jave ka hapur tre dyqane dhe tentim ka patur për dy të tjera që nuk ka arritur t’i hapë. Kurse të shtunën në mbrëmje, arriti t’i hapë diku gjashtë dyqane për një natë ku të njejtët s’kanë pasur sisteme alarmi ku për fat të mirë dy shitore që kanë pasur alarm të fshehur ka reaguar dhe ka bërë alarmi në disa shitore për bizhuteri”, tha Bujar Dullovi.

Dullovi ankohet se dyqanet nuk guxojnë të vendosin kamera para hyrjeve sepse nuk ua lejon ligji.

“Me ligj nuk kemi të drejtë të inçizojmë rrugicën. Nëpër rrugicë nuk kemi ne kamera të sigurisë e cila mund të sigurojë rrugën e Çarshisë. Mungesa e kamerave të sigurisë që e ka Çarshia, mungesa e ndriçimit e cila në orët e mbrëmjes në ora 01:30 fiken dritat, në disa pjesë fare nuk punojnë dhe ai pastaj në të gjitha aspektet është një hap para dhe është në favor të tyre”, deklaroi Dullovi.

Pyetëm Ministrinë e Punëve të Brendshme pse Çarshia e Vjetër e Shkupit nuk ka kamera sigurie, gjegjësisht nuk është pjesë e sistemit të sigurisë “Safe City”. Megjithatë, nga atje nuk morëm përgjigje. Nga MPB për rastet në fjalë vetëm kanë informuar në buletinin e tyre ditor të datës 15 korrik, ku njoftojnë se më 14 korrik në SPB Shkup, personat S.A dhe N.XH kanë denoncuar se në Çarshi të Shkupit është kryer vjedhje e rëndë në tentim, por nuk është vjedhur asgjë. Derisa një tjetër person A.S ka denoncuar se me përdorim të dhunës është hyrë në dyqanin e tij me suvenire dhe janë vjedhur të holla.  https://youtu.be/FYZBMLSRAIM

Marketing