Kapitulli 23, prioritet i Ministrisë së drejtësisë

Kapitulli 23 është prioritet i Ministrisë së drejtësisë në procesin reformues. Me këtë kapitull që ka të bëjë me gjyqësorin dhe të drejtat fondamentale në muajin shtator të vitit që lamë pas filloi edhe procesi i skriningut të Maqedonisë për bisedimet me Bashkimin Evropian.

Marketing

Në këtë pjesë përfshihen reformat në gjyqësor, prokurorinë publike, mënyra e menaxhimit me lëndët, përgjegjësia e gjykatësve dhe prokurorëve, këshilli i gjykatësve dhe këshilli i prokurorëve. Procesi i skriningut do të zgjas për një kohë më të gjatë dhe me të, 160 mijë faqe ligje dhe rregulla evropiane do të duhet të transferohen në legjislativin vendor.

Në fazën përfundimtare skriningu zhvillohet bashkë me Shqipërinë, pasi të dy vendet bashkë kanë marë ftesë të kushtëzuar për fillimin e bisedimeve në korrik të vitit 2018. Më pas do të kalohet në fazën e dztë, atë të skriningut bilateral. Në kuadër të procesit reformues, pak para përfundimit të vitit 2018 në Kuvend u deponuan rreth 20 ligje shumica në procedurë të shkurtuar, mes të cilave ishte edhe kodi penal.

Ky i fundit shkaktoi reagime të ashpra në opinion dhe dyshime se po përgatitet një amnisti e re, ulen dënimet dhe gjithë kjo do të ndikojë që shumë lëndë të cilat i ka procesuar Prokuroria Speciale Publike të vjetrohen. Nga Qeveria më pas demantuan akuzat dhe thanë se ndryshimet bëhen në përputhje me procesin reformues.

Gjatë këtij viti në Kuvend do të parashtrohen edhe shumë ligje të tjera që do të mbajnë flamurin e BE-së, mes tyre edhe ligji për parandalimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesit i cili fillimisht u propozua por më pas u tërhoq nga Qeveria, pikërisht për ti vendosur siglën evropiane. Nga pakoja e ligjeve të gjyqësorit, para deputetëve do të shtrohen edhe ndryshimet e ligjit për gjykata, ligjit për gjoba, ligjit për këshillin e gjykatësve, kontesteve administrative dhe propozim ligje të tjera.

Në propozimin për ndryshimin e ligjit për këshillin e gjykatësve i cili tanimë ka kaluar në lexim të parë, propozohet ridefinim i kushteve për zgjedhjen e gjykatësve në gjykatë më të lartë, vendoset obligimi I këshillit të gjykatësve për të ndjekur punën e gjykatës dhe gjykatësve, ridefinohen kriteret cilësore përballë kritereve kuantitative, si dhe vendoset dispozita për përgjegjësi të anëtarit të këshillit të gjykatësve në kryerjen e funksionit të tij. Këto dhe ndryshimet në 20 ligjet e propozuara duhet të miratohen më së voni deri në fund të muajit janar.