Njeriu i parë i Këshillit gjyqësor, Zoran Karaxhovski u ankua se ministrja e drejtësisë, Renata Deskoska po i ikë takimit me të. Ai para një muaji, menjëherë pas emërimit të saj në këtë pozitë, ka kërkuar takim me ministren, për të biseduar në lidhje me reformat në gjyqësor si dhe për problemet e tjerë me të cilët po ballafaqohen gjykatat, por siç tha, ajo nuk iu përgjigj ftesës së tij.
“Tashmë tre javë me radhë e pres që të vijë në Këshillin gjyqësor. E lajmërova edhe me shkrim se duhet të bisedojmë për disa gjendje, jo vetëm për Strategjinë e reformave në gjyqësor, por edhe për shumë gjendje të tjera aktuale në gjykatat dhe në të gjithë gjyqësorin e RM-së, megjithatë, duke marrë parasysh se deri më tani ajo nuk iu përgjigj ftesës sime, sigurisht se ka punë të tjera më të rëndësishme”, tha Karaxhovski.
Nga Ministria e drejtësisë kanë shpjegime të ndryshme për relacionin Karaxhovski – Deskoska. Ministrja e ka ftuar atë që në javën e parë të mandatit të saj, por ai e ka anuluar këtë takim. Ata do të merren vesh për termin të ri, por takimi do të mbahet në ministri, thonë prej atje.
“Nga z. Karaxhovski presim që të mos e arsyetojë mosaktivitetin e tij, për shkak se të gjitha institucionet duhet të jenë të vetëdijshme për përgjegjësinë e tyre në procesin e euro-integrimeve, ndërsa në atë proces presim që edhe Këshilli gjyqësor të veprojë në mënyrë të përgjegjshme në realizimin e obligimeve të tij”, nga Ministria e Drejtësisë.
Ministri i mëparshëm i drejtësisë, Bylen Saliji formoi grup të punës për reforma në të cilin marrin pjesë gjykatës dhe prokurorë, por edhe përfaqësues të Këshillit gjyqësor. Strategjia për reformat në gjyqësor parashikon analizë të modelit për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit gjyqësor, i cili vite me radhë merr kritika në raportet nga vendi, por edhe nga jashtë. Reformat në gjyqësor janë prioritet për Maqedoninë për shkak se janë një nga kushtet për fillimin e negociatave me BE.