Kartmonedhat e reja të prerjes 100 dhe 200 euro do të jenë rezistente ndaj larjes në lavatriçe, hekurit të hekurosjes dhe agjentëve kimikë. Sipas Bankës Qendrore Evropiane ato do të jenë të disponueshme në fund të muajit maj.
Për të qenë më të qartë duhet theksuar se ekzistojnë dy seri kartëmonedhash në zonën euro, të dyja të ligjshme. E para ka shtatë prerje: €5, €10, €20, €50, €100, €200 e €500. E dyta përbëhet nga gjashtë prerje.
Me hedhjen në treg të kartëmonedhave prej €100 e €200, nuk parashikohet ajo e €500. Seria e Evropës do të zëvendësojë gradualisht serinë e parë që doli në vitin 2002. Ajo që befason në kartëmonedhat e reja janë karakteristikat e studiuara për të përmirësuar sigurinë dhe rezistencën.
Në video kartëmonedhat e reja kalojnë me shumë sukses testin e temperaturave të larta, hekurin për hekurosje, futjen në ujë, palosjen, larjen në lavatriçe dhe vendosjen e shiritit ngjitës në sipërfaqe.
Këtyre i shtohen karakteristikat për sigurinë që e bëjnë më të vështirë falsifikimin e tyre. Në pjesën e sipërme të shiritit të argjendtë ka një hologram me satelit me simbolin e euros, i cili kur lëviz kartëmonedhën rrotullohet rreth numrit.
Gjithashtu, gjithnjë duke lëvizur kartëmonedhën, shifra shkëlqyese, në këndin e poshtëm, prodhon efektin e një drite që zhvendoset në drejtim vertikal dhe numri ndryshon ngjyrë, duke kaluar nga jeshilja në blu të errët.
Përveç karakteristikave të sigurisë që njihen dhe nga publiku, kartëmonedhat e reja kanë dhe elemente të reja që kontrollohen nga aparaturat.