Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka njoftuar përmes një statusi në Facebook se sot është hedhur gurthemeli i autostradës së re Tetovë–Gostivar, një projekt i shumëpritur për rajonin e Pollogut.
Autostrada, që është pjesë e Korridorit 8 dhe pritet të jetë 18 kilometra e gjatë, do të ndërtohet me një investim prej 90 milionë eurosh. Sipas Kasamit, ky projekt nuk është thjesht një rrugë, por një hap drejt një të ardhmeje më të lidhur dhe më të zhvilluar për gjithë rajonin.
“Është një investim që do të përmirësojë lidhshmërinë, do të bëjë udhëtimet më të sigurta e më të shpejta dhe do t’i japë frymë zhvillimit për qytetarët dhe bizneset,” tha ai.
Kasami e cilësoi këtë rrugë si një “hak të vonuar” për shqiptarët e Pollogut, të cilët për vite të tëra kanë përballuar infrastrukturë të amortizuar dhe premtime të pambajtura. “Tani nuk ka më llafe, ka punë!” përfundoi ai.
Ndërtimi i autostradës pritet të sjellë përfitime të drejtpërdrejta ekonomike dhe sociale për rajonin, duke përforcuar edhe më tej rolin strategjik të Korridorit 8 në lidhjen e Ballkanit Perëndimor me Evropën.