I pyetur lidhur me një sondazh të publikuar së fundmi, sipas të cilit BDI ka mbështetje prej 12%, ndërsa koalicioni VLEN bashkë me Taravarin gëzon përkrahje prej 13%, nga të cilët 6% shkojnë për krahun e Taravarit, Bilall Kasami theksoi se politika nuk është matematikë e thjeshtë.
“Mbështetësit e Taravarit nuk janë votues që do të shkonin te BDI-ja. Që nga themelimi i partisë së tij, ato vota gjithmonë kanë qenë kundër BDI-së”, u shpreh Kasami në intervistën për “360 shkallë”.
Ai shtoi se lëvizjet e fundit politike dhe strukturat që janë duke u krijuar nuk rrezikojnë shumicën parlamentare, përkundrazi ajo do të forcohet dhe do të mundësojë edhe shumicën e nevojshme për kalimin e ligjeve me të ashtuquajturin mekanizëm “Badenter”.
I pyetur konkretisht se si koalicioni qeveritar synon ta sigurojë shumicën me Badenter, duke pasur parasysh që edhe më herët kanë pasur sfida me të ashtuquajturin “Badenter”, Kasami u shpreh i bindur: “Mund të garantoj që me kombinatorikën e re që po ndërtojmë, do ta kemi Badenterin. Në shumicën qeveritare do të përfshihen edhe më shumë deputetë nga komunitetet tjera etnike në shtet, që janë të domosdoshëm për këtë mekanizëm”, deklaroi ai.
Kasami gjithashtu potencoi se janë në negociata serioze me deputetë nga opozita shqiptare dhe nga radhët e komuniteteve tjera që aktualisht janë pjesë e “Frontit Evropian”.