Kasami: Partitë e opozitës shqiptare, alternativë më e mirë se BDI-ja për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut

Kryetari i Lëvizjes Besa dhe kryetar të Komunës së Tetovës, Bilall Kasami thotë se koalicioni i partive opozitare shqiptare në Maqedoninë e Veriut ofron një alternativë më të mirë sesa BDI-ja për nevojat e shqiptarëve në vend. Lëvizja Besa është pjesë e Lëvizjes Evropiane për Ndryshim (LEN). Zoti Bilalli, i cili ishte në Uashington si pjesë e një grupi politikanësh shqiptarë të Maqedonisë së Veriut, për takime me anëtarë kongresi, zyrtarë dhe ekspertë, i tha Zërit të Amerikës se megjithëse Bashkimi Demokratik për Integrim ka disa përfaqësues të lartë në qeverinë e vendit, si pjesë e koalicionit qeverisës, shteti në këtë vend nuk u shërben shqiptarëve ashtu si maqedonasve. Si kryetar i komunës së Tetovës, ai është përballur me kritika për moszgjidhjen e problmeve të qytetarëve, por tha se po punon për zgjidhjen e tyre dhe se ato janë të trashëguara nga administrimi i mëparshëm.

Marketing

Zëri i Amerikës: Zoti Kasami fillojmë me Tetovën dhe problemet që shqetësojnë qytetarët atje. Disa nga problemet kryesore kan qenë ai i mbeturinave, objektet pa leje, gjendja e rrugëve dhe disa nga kritikat janë drejtuar ndaj jush edhe këto ditë që ju ndodheni në Uashington. Çfarë po bën komuna për të zgjidhur këto probleme?

Bilall Kasami: Komuna dalëngadalë po i zgjidh këto probleme të akumuluara ndër vite nga një keq-qeverisje, keqmenaxhim i Komunës së Tetovës. Tashmë kemi një kontratë me partneritet privat-publik, që është një partner austriak i cili menaxhon disa qytete në disa shtete të Evropës dhe është një model i suksesit dhe tanimë jemi në fazën e transferimit të përgjegjësive dhe menaxhimit dhe besoj që shumë shpejt edhe kjo çështje do të jetë e zgidhur. Pra, kjo dhe shumë gjëra të tjera, probleme të cilat kanë qenë probleme të vazhdueshme të qytetarëve të Tetovës, dalëngadalë po zgjidhen dhe Tetova po transformohet në një qytet, në të cilin të gjithë shqiptarët dhe qytetarët e saj duan të jetojnë.

Zëri i Amerikës: Pse është shtyrë kaq shumë zgjidhja e këtyre çështjeve? Ju fajësoni administrimin e mëparshëm, por ka mjaft kohë që ju jeni në krye të komunës…

Bilall Kasami: Po, sigurisht që problemi kryesor ka qenë keqmenaxhimi financiar. Ne kemi trashëguar një borxh prej 24 milion eurove nga të cilat 10 milionë euro kanë qenë vetëm të Ndërmarrjes Komunale që bën menaxhimin dhe shërbimin e qytetarëve me ujë të pijshëm, menaxhimin e mbeturinave dhe të gjitha shërbimeve të tjera dhe si rezultat i kësaj ne kemi pasur përgjegjësi të gjejmë zgjidhje për shërbimet që duhet dhënë qytetarëve. por njëherësh edhe të mund të zgjidhim problemin me borxhin e trashëguar. Dhe si rezultat ne sot kemi përgjysmuar borxhin e komunës së Tetovës, por kemi realizuar projekte infrastrukturore, duke nisur riparimin e rrugëve, asfaltimin, kanalizimin, rrjetin e ujësjellësit dhe gjithçka që ka të bëjë me një jetë më të mirë dhe me shërbimet që duhet të ofrojë komuna e Tetovës. Pra, edhe përkundër faktit që ne kemi realizuar shumë më tepër projekte se të gjithë pararendësit tanë për një periudhë më pak se dy vjeçare, ne kemi arritur edhe ta përgjysmojmë borxhin e komunës.

Zëri i Amerikës: Tri partitë e Lëvizjes Evropiane për Ndryshim (LEN) kanë bërë të ditur se bojkotojnë punën e parlamentit për shkak të mos-zgjedhjes së një anëtari në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve, që ju thoni se ju takon juve. Çfarë efekti pritni të ketë bojkotimi i punës së parlamentit?

Bilall Kasami: Sigurisht që është hapi i parë drejt hapave të tjerë që nënkuptojnë të drejtën e përfaqësimit të opozitës shqiptare me të gjithë trupat zgjedhorë dhe në gjithë procesin zgjedhor. Si opozitë e vetme shqiptare e bashkuar rreth LEN-it nuk do të lejojmë që vota opozitare shqiptare të mos jetë e përfaqësuar dhe të mos ketë mundësinë që edhe shqiptarët të votojnë dhe të kemi zgjedhje të lira, të drejta dhe të pranuara nga të gjithë. E dimë se në Maqedoninë e Veriut kemi një parti që për shumë se 20 vjet është në pushtet; se shqiptarët e Maqedonisë së Veriut janë në një gjendje vërtet të rëndë ekonomike, sociale, etnike dhe në të gjitha aspektet, e të mos flasim për shëndetësi dhe arsim. Dhe kjo e bën të patjetërsueshme që të kemi ndryshim në qeveri; të vijë një forcë e re, të vijnë forca të reja, në këtë rast të opozitës së bashkuar shqiptare dhe t’iu ofrojnë shqiptarëve një jetë më të mirë.

Zëri i Amerikës: Pikërisht për këtë desha t’ju pyes: zgjedhjet mbahen në muajin maj. Çfarë ofroni ju konkretisht, duke pasur parasysh se opozita shqiptare në Maqedoninë e Veriut merret më shumë me sulme dhe akuza kundër Bashkimit Demokratik për Integrim, por pa ofruar diçka konkrete?

Bilall Kasami: Ne tanimë jemi në fazën përmbyllëse të programit në të cilin kemi zgjidhjet për problemet në shëndetësi. E dimë se shqiptarët janë të diskriminuar në të gjitha spitalet ku iu ofrohen shërbime, kryesisht shqiptarëve. Ne jemi të diskriminuar në arsim, në jetën sociale dhe në të gjitha fushat: kulturë, sport, etj. Pra, ne ofrojmë një zgjidhje për një jetë më të mirë. Ofrojmë arsim më të mirë, më kualitativ, shëndetësi ku shteti do të investojë në mënyrë të barabartë edhe tek shqiptarët ashtu siç investon tek pala maqedonase. Edhe pse ndër vite ne kemi pasur ministra të arsimit, të shëndetësisë, të jashtëm, të financave, me emër e mbiemër shqiptarë, ata shumë pak, apo aspak kanë bërë për të përmirësuar jetën e shqiptarëve. Ne ofrojmë zgjidhje për të gjitha këto probleme dhe shqiptarët të ndihen të barabartë dhe të marrin shërbime nga shteti, ashtu siç i marrin maqedonasit.

Zëri i Amerikës: Lëvizja Evropiane për Ndryshim duket se është e vendosur që të dalë edhe me një kandidat presidencial në këto zgjedhje. Duke pasur parasysh se bëhet fjalë për zgjedhje të dyfishta dhe se nuk ka gjasa konkrete për fitore, a është shpërdorim energjive dalja edhe me një kandidat për president, duke qenë se mund të ishte fokusi tek zgjedhjet parlamentare?

Bilall Kasami: Përkundrazi, ne vlerësojmë që shqiptarët duhet të jenë pjesë reale e zhvillimeve politike në Maqedoninë e Veriut dhe jo vetëm simbolike. BDI-ja në periudhën e fundit po merret me simbolika: do të kemi kryetarin e parë, spikerin…, ministra të jashtëm e të brendshëm e ku e di se çfarë, por në fakt shteti nuk punon dhe nuk iu shërben shqiptarëve ashtu si maqedonasve. Është një mundësi e mirë për maqedonasit që të tregojnë se edhe ata e pranojnë që një shqiptar të jetë në krye të shtetit. Ne nuk dalim me kandidatin për president në garë vetëm për të treguar se ne jemi në garë. Përkundrazi ne futemi në garë duke besuar se kandidati ynë do te jetë më i mirë nga të gjithë kandidatët e tjerë dhe Maqedonia e Veriut njëherë e përgjithmonë do të jetë e përgaditur që të zgjedhë një kandidat, i cili do të jetë më i mirë, jo vetëm për shqiptarët ,por për të gjithë qytetarët. Më shumë se kombinatorikat politike për të pasur një pozitë të rëndësishme të cilat po i promovon BDI-ja vetëm për të pasur një simbolikë dhe asgjë reale për të përmirësuar gjendjen e shqiptarëve, ne ofrojmë një kandidat të cilin edhe maqedonasit do të kenë mundësi që ta pranojnë dhe të tregojnë se janë për shtetin e Maqedonisë së Veriut të barabartë për të gjithë qytetarët e saj.

https://www.zeriamerikes.com/a/7448370.html#player-start-time=30.19629