Kryetari i Lëvizjes Besa dhe një nga liderët e VLEN-it, Bilall Kasami në intervistën e fundit në TV Alsat, ka folur rreth ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuatë.
Kasami tha se punësimet në aspekt e përfaqësimit adekuat vazhdojnë dhe nuk janë të drejtpërdrejta të sanksionuara sa i përket këtij ligji.
“Ky ligj është në procedurë të miratimit dhe në bazë të analizave që e kemi bërë ne, përqindja e shqiptarëve në administratë është rritur shumë më shumë para se të miratohet mekanizmi i balancerit sesa gjatë këtij mekanizmi. Kur edhe në kuadër të këtij mekanizmi ka pasur keqpërdorime, ku edhe ish-sekretari shtetëror në Ministrinë e Kulturës, ishte i punësuar si maqedonas. Duke e ditur se është një problematik komplekse, jemi duke bërë harmonizimet e fundit të ligjit që të mos vije përsëri të kontestohet në Gjykatën Kushtetuese. Besoj se ligji së shpejti do të futet në procedurë qeveritare dhe pastaj parlamentare”, u shpreh Kasami.
Ai shtoi se punësimet që po rrjedhin janë duke u punësuar edhe shqiptarë dhe jo vetëm maqedonas. Siç tha Kasami, në punësimet e fundit në Komunën e Tetovës, nga 78 vendime ku shumica ishin shqiptarë.
“Edhe në institucionet qeveritare, punësimi vazhdon të bëhet në bazë të asaj që është përfaqësim adekuat, pa e shfrytëzuar në këtë rast mekanizmi që ka qenë”, nënvizoi Kasami.