Ministri i Energjisë në Katar, Saad Sherida al-Kaabi, ka thënë se shteti i tij do të largohet nga Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC), në fund të këtij viti.
Kaabi ka bërë të ditur këtë njoftim më 3 dhjetor në një konferencë për media në kryeqytetin e Katarit, Doha, duke thënë se ky vendim do të fillojë së zbatuari nga janari i vitit 2019.
Kaabi ka thënë se OPEC-u është njoftuar për këtë vendim më 3 dhjetor, para se të bëhej vendimi publik.
Katari është eksportuesi më i madh në botë i gazit të lëngshëm natyror.
OPEC, organizatë ndërqeveritare me 15 shtete pjesëmarrëse është përgjegjëse për prodhimin e gati 44 për qind të naftës në botë dhe 81 për qind të rezervave në naftës në glob.
Misioni i saj është që të “koordinojë dhe krijojë unitet mes shteteve anëtare për politikat e naftës, si dhe të sigurojë stabilitet në tregjet e naftës”, duke siguruar furnizim të qëndrueshëm me konsumatorët globalë.
Tërheqja e Katarit nga OPEC-u vjen në kohën e marrëdhënieve të tensionuara me Arabinë Saudite, meqë të dyja shtetet garojnë për ndikim rajonal.
Në qershor të vitit 2017, koalicioni i udhëhequr nga sauditët, duke përfshirë, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreinin dhe Egjiptin kanë njoftuar se do të ndërprejnë marrëdhëniet diplomatike me Katarin.
Ky grup ka arsyetuar këtë veprim me supozimet se Katari është duke mbështetur terrorizmin.
Përveç tjerash, ky grup ka kërkuar që Katari të zvogëlojë marrëdhëniet diplomatike me Iranin dhe të ndalojë koordinimin ushtarak me Turqinë.